Kosovari i prekuri me koronavirus: Ju lus – rrini në shtëpi, kujdesuni për veten dhe ata që ju rrethojnë (VIDEO)

Jetmir Hyseni, që është njëri nga 33 të prekurit me Covid-19 në Kosovë, ka treguar se gjendja e tij shëndetësore është duke u përmirësuar derisa po trajtohet në Spitalin Infektiv në QKUK.
“Fatmirësisht, sot mirë po ndihem. Për çdo ditë po e marr veten nga pak. Jam në Spitalin Infektiv në QKUK, qysh prej natës kur edhe jam diagnostifikuar me koronavirus”.
Hyseni përmes një lidhje telefonike në Sytë 7 në Klan Kosova ka treguar për simptomat që i kishte para se të diagnostifikohej me Covid-19.
“Faktikisht, simptomat i kam ndjerë prej ditës kur kam udhëtuar prej Gjermanisë në Kosovë. E kam ndjerë që mund ta kem virusin, por më saktë e kam kuptuar natën e 20 marsit, pasi që e kam bërë testin në Spitalin Infektiv”.
“Fillimisht në mëngjes kam pasë dhimbje të fytit, derisa në mbrëmje dikur vonë kam pasë ethe, temperaturë, dhimbje të kokës dhe muskujve – por, fillimisht kanë qenë dhimbjet e fytit”.
“Këto simptoma kanë zgjatur tri ditë. Tani kam disa vështirësi, por po e shoh se po e marr veten çdo ditë. Tani kam kokë dhimbje kohë pas kohe, por jo diçka më shumë”.
Hyseni që është nga fshati Bibaj i Ferizajt ka treguar edhe se si e kanë pritur familjarët e tij këtë lajm jo të mirë.
“Normal që çdo familjar e pret në mënyrën më të keqe, por e kemi marrë me pozitivitet. Kam qenë i përgatitur moralisht se nëse bëhet diçka – pasi virusi është përhapur në gjithë botën – të jem i fortë dhe mos të dorëzohem”.

Lexo edheVëmendje! Diarreja dhe anoreksia simptomat kryesore të koronavirusit, mos prisni vështirësinë në frymëmarrje
Ai ka thënë se akoma nuk ka informata nëse dikush nga personat me të cilët ka pasë kontakt është infektuar me Covid-19.
“Nuk e di, janë duke e pritur testin. Po pres që të më lajmërojnë. Shpresoj se nuk e kam infektuar askënd”.
“Prej momentit që kam hyp në aeroplan në Dusseldorf kam qenë me dorëza dhe maskë tërë kohën. Edhe më pas në karantinën te Qendra e Studentëve kam pasë shumë kujdes”.
Por, cili është mesazhi i tij për të gjithë qytetarët e Kosovës?
“Të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i ndjekin udhëzimet. Duke e ruajtur veten e ruajnë edhe rrethin që i rrethon. I lus të gjithë të rrinë në shtëpi, të kujdesen për veten dhe për ata që i kanë rreth vetes”.
Hyseni ka thënë se i mungojnë shumë dy vajzat e tij, derisa ka shtuar se me familjarët bisedon vazhdimisht në telefon dhe përmes rrjeteve sociale.
https://www.youtube.com/watch?v=V8bHPunZC1U&feature=emb_title














