Kosova mirëpriti Kongresin më të madh evropian të cilësisë – EOQ Congress 2026

Përfundoi Kongresi i 67-të i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ 2026), i cili për tri ditë mblodhi në Kosovë përfaqësues të institucioneve, ekspertë ndërkombëtarë, akademikë dhe profesionistë, për të diskutuar mbi rolin e cilësisë në epokën e inteligjencës artificiale, transformimit digjital dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Sesioni përmbyllës i kongresit shërbeu si një moment reflektimi mbi përfundimet dhe mesazhet kryesore të këtij edicioni, duke vënë në pah rëndësinë e cilësisë si themel për inovacionin, besimin, qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë në një botë që po ndryshon me shpejtësi.
Në këtë kuadër u prezantuan përfundimet e kongresit me temën “Congress Conclusions: What Prishtina 2026 Has Taught Us”, si dhe mesazhi “Prishtina Quality Message 2026: The Future through Quality”, i cili thekson rëndësinë e angazhimit të përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje më cilësore dhe të qëndrueshme.
Një moment i veçantë ishte ceremonia e dorëzimit të flamurit të EOQ-së dhe prezantimi i kongresit të ardhshëm, i cili do të mbahet në Belgjikë, duke simbolizuar vazhdimësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe angazhimin e komunitetit evropian për avancimin e cilësisë.
Në fjalën e tij përmbyllëse, Prof. Dr. Paulo Sampaio, President i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), përcolli mesazhin për një komunitet të bashkuar të cilësisë dhe përgjegjësi të përbashkët në avancimin e standardeve dhe praktikave cilësore.

Lexo edheEkstradohen dy të dyshuar për në Kosovë: Njëri nga Mali i Zi, tjetri nga Gjermania
Ndërkaq, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, president dhe rektor i UBT-së, president i Quality Kosova dhe nënkryetar i EOQ-së, përmbylli kongresin me mesazhin “From Prishtina to the Future through Quality”, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shndërrimit të ideve e diskutimeve në iniciativa konkrete për të ardhmen.
Organizimi i Kongresit të 67-të të EOQ-së në UBT përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e Kosovës si hapësirë e dialogut profesional, shkëmbimit të njohurive dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Përmes këtij organizimi, UBT dhe Quality Kosova kontribuuan në avancimin e diskutimeve mbi rolin e cilësisë në zhvillimin institucional, ekonomik dhe shoqëror. Me mesazhin “Nga Prishtina drejt së ardhmes përmes cilësisë”, Kongresi EOQ 2026 përmbylli punimet duke riafirmuar rëndësinë e vizionit të përbashkët, përgjegjësisë dhe bashkëpunimit për një të ardhme më cilësore dhe të qëndrueshme.

















