Shtetet me të fuqishme të botës në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës kanë ofruar mbështetje për rrugën euroatlantike dhe integrimin në BE por kanë kërkuar edhe normalizim të raporteve me Serbinë.
Presidenti Trump ka theksuar se Kosova duhet “ta thellojë integrimin e saj në komunitetin euroatlantik”. Ndërsa tutje në urimin e tij, pohon se SHBA punon me fqinjtë e Kosovës për ndërtimin e një rajoni më të begatë dhe më të sigurt.
Presidenti francez Macron thekson se shteti i tij mbetet aleat i përkushtuar i Kosovës dhe “do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj”
Ai i ka kërkuar Kosovës që të normalizojë raportet me Serbinë dhe të bëjë progres në implementimin e marrëveshjes të Brukselit/Ohrit si dhe ka kërkuar themelimin e Asociacionit.
Gjithashtu Gjermania e Italia i kanë kërkuar angazhim Kosovës në dialog dhe normalizim me Serbinë, duke e quajtur urgjent zbatimin e mareëveshjeve.
Letrat me urime nga udhëheqësit e shteteve të përmendura u dërguan në adresë të presidentës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17-vjetorit të pavarësisë. Osmani ua ka shpërndarë mediave letrën e presidentit Trump, i cili i dërgoi urimet popullit të Kosovës në këtë ditë feste, dhe potencoi se dëshiron marrëdhënie më produktive me qeverinë.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe angazhimin e saj për ta ndërtuar një shoqëri demokratike, ku të gjithë qytetarët e saj mund të jetojnë dhe të lulëzojnë së bashku. Lidhjet mes popujve tanë janë të forta dhe presim me kënaqësi t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi”, u tha në letrën e Trump.
Presidenti Trump kërkon marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara presin ta ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vitin në vazhdim. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjtë e saj për ta ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej me komunitetin euroatlantik. Mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet shumë”.
Macron dëshiron perspektive europiane për Kosovën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë”, thuhet në urimin e Presidentit Macron. Mëtej, në urim shfaqi shpresën që të dy shtetet të mund të vazhdojnë të bashkëpunojnë, veçanërisht lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Kosovë.
“Franca është e gatshme t’ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë”, thuhet në urim.
Ndërsa, Gjermania rikujtoi se ishte ndër vendet e para që njohu shtetin e Kosovës.
Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, theksoi se shteti i tij mbetet një mbështetëse e fuqishme e Kosovës, duke përkrahur stabilitetin, zhvillimin dhe integrimin evropian.
“Gjermania mbështet në mënyrë të pandryshuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe dëshiron që ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian“, tha ai.
“Republika e Italisë mbetet një partner i përkushtuar i Kosovës, duke mbështetur përparimin e saj drejt integrimit euroatlantik dhe fuqizimin e demokracisë dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në urimin e Presidentit Mattarella.
Kosova nesër feston ditëlindjen e saj të 17-të, në këtë ditë të veçantë janë organizuar një sërë aktivitetesh. /Gazeta Express