Komuna e Prizrenit me tenderë të njëpasnjëshëm për “konsulenta”- Edhe 21 mijë euro nga buxheti i shtetit për “konsulentë” që fusin të dhëna adresash

Kuvendi Komunal i Prizrenit ka zyrtarizuar një tjetër proces prokurimi, ku paratë e buxhetit të konsoliduar të Kosovës po shpenzohen në emër të “konsulencave” për detyra të thjeshta teknike e administrative.
Përmes tenderit me numër prokurimi 622-26-3837-2-2-1, komuna ka planifikuar gjithsej 21,600.00 euro për angazhimin e individëve në atë që e ka pagëzuar si “task forcë e përkohshme” për regjistrimin dhe futjen e të dhënave të adresave në sistemin ARIS, transmeton lajmi.net.

Edhe pse bëhet fjalë për punë të thjeshtë të futjes së të dhënave (data entry), komuna ka zgjedhur ta maskojë atë nën petkun e “shërbimeve konsulente”, përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta, me një kohëzgjatje kornizë prej 12 muajsh.
Kronologjia e një procedure me hije të forta dyshimi
Detajet e dosjes zbulojnë se procedurat kanë zgjatur me muaj të tërë për një shërbim plotësisht rutinor:
Inicimi dhe njoftimi: Procedura është iniciuar më 21 maj 2026, ndërsa njoftimi për kontratë është publikuar një ditë më pas, më 22 maj 2026.

Hapja e tenderëve: Hapja e ofertave është bërë më 11 qershor 2026.
Vonesa në vendimmarrje: Janë dashur më shumë se dy muaj që Komuna e Prizrenit, me person kontaktues UD ZPP – Alban Susuri, të publikojë njoftimin për dhënien e kontratës më 18 gusht 2026.
Nënshkrimi: Kontrata përfundimtare për Grupin 1 është nënshkruar më 20 gusht 2026.
Farsa e konkurrencës: 3 oferta, vetëm 1 e “përgjegjshme”
Mënyra se si është përzgjedhur fituesi ngre pikëpyetje të mëdha mbi barazinë dhe transparencën e këtij procesi.
Për Lotin 1, me numër kontrate 622-26-3837-2-2-1/C1789, në letër figuron se janë pranuar 3 tenderë.

Megjithatë, komuna ka diskualifikuar dy nga ofertuesit, duke vlerësuar se vetëm 1 tender i plotësonte kushtet dhe ishte i “përgjegjshëm”.

Lexo edheHykolli i kundërpërgjigjet akuzave të sindikatës së KEK-ut: Mos u merrni me neve
Për pasojë, kontrata me vlerë prej 7,140.00 eurosh i është dhënë Elmira Krasniqit, me adresë në Hoçë të Qytetit, Prizren.
Si rezultat i diskualifikimit të rivalëve, çmimi më i ulët dhe çmimi më i lartë i ofertuar kanë qenë identikë, 7,140.00 euro, duke e bërë kriterin e shpallur “tenderi ekonomikisht më i favorshëm” një fjalë goje, pa asnjë garë reale çmimi.
Pse po vazhdon kjo praktikë?
Në vend që punët e futjes së adresave në sistemet zyrtare të kryhen nga zyrtarët ekzistues komunalë ose përmes rekrutimeve të rregullta, Komuna e Prizrenit vazhdon të shfrytëzojë Rregullat për Prokurim të Shërbimeve të Veçanta, të lëshuara nga KRPP-ja, për të krijuar “task forca” me kontrata individuale.
Kjo formë prokurimi jo vetëm që rëndon buxhetin e konsoliduar të Kosovës me mijëra euro për punë minimale teknike, por krijon hapësirë për eliminimin e konkurrencës dhe shpërblimin e individëve të caktuar pa një garë të mirëfilltë në treg.
Tenderi për dhëndrin e Vlora Çitakut nga komuna e Prizrenit
Ky tender vjen në një kohë kur Komuna e Prizrenit është përballur edhe me kritika për një tjetër proces të dyshimtë prokurimi gjatë këtij muaji, ku Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit, e ka shpërblyer me rreth 100 mijë euro Edon Canën, dhëndrin e sekretares së përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitaku.
Cana ka fituar tenderin me titull “Shërbime konsulente individuale – Këshilltar për investime strategjike dhe koordinim të projekteve në drejtorin e Administratës”, në vlerë prej 98 mijë e 496 eurove, për 36 muaj, apo përafërsisht 2 mijë e 700 euro në muaj.
Sipas dosjes së tenderit, qëllimi i këtij tenderi është ofrimi i mbështetjes profesionale për Komunën e Prizrenit në sigurimin, koordinimin dhe menaxhimin e fondeve të jashtme, përfshirë fondet e Bashkimit Evropioan dhe financimet nga institucionet financiare dhe zhvillimore ndërkombëtare.
Cana e ka mohuar se përkatësia e tij politike ka ndikuar në fitimin e tenderit. Ai ka deklaruar se ka plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe se përvoja e tij profesionale në menaxhimin e fondeve dhe projekteve ndërkombëtare e ka bërë atë të kualifikohet për këtë pozitë.
Cana ka theksuar se ka shërbyer si kryeshef i Agjencisë për Koordinim të Zhvillimit dhe Integrimit Evropian, ka koordinuar rreth 1.2 miliardë euro në konferencën e donatorëve në vitin 2008 dhe ka pasur role në projekte e institucione ndërkombëtare, përfshirë BERZH-in dhe fondet e BE-së. Ai ka mohuar kategorikisht çdo ndikim të PDK-së në përzgjedhjen e tij, duke e cilësuar si përpjekje për ta politizuar një proces që, sipas tij, është zhvilluar mbi bazën e kritereve profesionale./lajmi.net/












