Është përuruar këndi i ri gjithëpërfshirës i lojërave në çerdhen publike “Dardania”, në Gjilan.
Komuna njofton se në bashkëpunim me UNICEF-in, është bërë inagurimi, derisa në këtë ceremoni ishin kryetari i komunës, Alban Hyseni shefja e UNICEF-it, Veronika Vashchenko, drejtori i Arsimit, Shpend Nuhiu, zyrtarë nga HANDIKOS-i e të tjerë .
Me këtë rast, Hyseni tha se ky projekt përfaqëson përkushtimin e përbashkët për të ndërtuar një sistem arsimor gjithëpërfshirës që fillon nga edukimi i hershëm.
Më tej ai theksoi, se këndi është dizajnuar për të nxitur përfshirjen e fëmijëve me dhe pa aftësi të kufizuara, duke shërbyer si mjet edukues dhe social që pasuron përvojën e tyre ditore në institucionin parashkollor.

Shefja e UNICEF-it, Veronika Vashchenko, tha se kjo nismë tregon se çfarë është e mundur kur qeverisja lokale, edukatorët, familjet dhe partnerët punojnë së bashku.
Sipas saj ky është një moment gëzimi në udhëtimin drejt përfshirjes. Fëmijët mësojnë përmes lojës dhe eksplorimit. Dhe kur fëmijët me dhe pa aftësi të kufizuara luajnë së bashku, ata jo vetëm që argëtohen, por edhe mësojnë përfshirje, bashkëpunim dhe respekt që në fillimet e jetës së tyre.

“Si UNICEF, mbetemi partneri më i afërt i qeverisë lokale dhe asaj qendrore për të zgjeruar në mënyrë të barabartë qasjen në shërbimet e edukimit të hershëm, për të zhvilluar dhe zbatuar kurrikulën e re për edukimin e hershëm, si dhe për të forcuar kapacitetet e profesionistëve në krijimin e një ambienti gjithëpërfshirës dhe mbështetës për fëmijët”, tha shefja e UNICEF-it.
Ndërsa, drejtori i Arsimit, Shpend Nuhiu, falënderon UNICEF-in për mbështetjen e jashtëzakonshme në këtë iniciativë, e cila është për herë të parë në Kosovë dhe pikërisht në Gjilan.
Sipas tij, kjo kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të edukimit të hershëm dhe ndërtimin e një sistemi arsimor më gjithëpërfshirës në komunën tone”, tha drejtori Shpend Nuhiu. /Telegrafi/