Rreth orës 18:30 të pasdites së sotme, Kombëtarja e Futbollit të Izraelit mbërriti në Tiranë nga aeroporti i Rinasit nën masa shumë të forta sigurie.
E gjithë autostrada u bllokua, ndërsa ekipi izraelit udhëtoi me dy autobusë nga aeroporti në hotelin ku është akomoduar në qendër të kryeqytetit shqiptar i shoqëruar nga eskorta policore, siç u raportua në të gjitha mediat.
Megjithatë, dy autobusët kanë qenë bosh dhe futbollistët kanë udhëtuar me të tjera mjete. Gazetari i ABC News, Famur Vezaj është shprehur në emisionin ‘Opinion’ se Kombëtarja e Futbollit të Izraelit u transportuan nga aeroporti ‘Nënë Tereza’ drejt hotelit në Tiranë me furgonë të ndryshëm.
Ndërsa, në dy autobusët nuk kishte asnjë pjesëtar. Kjo strategji ishte në kuadër të masave të forta të sigurisë se në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Izraelit do të ndodhte sulm terrorist. Për këtë ngjarje, pak ditë më parë u arrestuan 4 persona, dy në Shkodër dhe dy në Dibër. Kjo është edhe arsyeja që u ndryshua stadiumi ku do të luhej ndeshja, nga Shkodra në Elbasan.