Mbi 20 gra u vranë në Kosovë nga viti 2016 deri tani

Thirrja për ndihmë nga shteti u hodhë në vesh të shurdhër. Kaq lehtësisht mund të sqarohet ngjarja e rëndë që tronditi mbrëmë gjithë vendin.
Bëhet fjalë për vrasjen e gruas, Arlinda Zekaj, e cila prej kohësh po kërkonte ndihmë dhe siguri nga shteti i Kosovës- madje këtë e kishte dëshmuar edhe përmes një letre të shkruar të lënë si testament.
E njëjta ishte rrahur nga bashkëshorti dhe pasi rasti kishte shkuar në stacion policor, ajo sërish ishte kthyer në shtëpinë e të dyshuarit- pra në familjen e burrit aty ku e priti edhe vdekja.
Sipas njoftimeve të deritanishme rasti i saj për dhunë në familje ishte raportuar, por Policia tentoi të thotë se ajo vetë zgjodhi të shkojë në atë shtëpi (shto këtu faktin se e njëjta kishte fëmijë me bashkëshortin). Pas shkuarjes në shtëpi, Arlinda Zekaj u vra me mjet të fortë (Sëpatë) pikërisht nga vëllai i bashkëshortit, nga kunati i saj.
Ngjarja u bë edhe më e rëndë për faktin se të njëjtës nuk i ishte ofruar as siguria as ndihma e nevojshme pasi tri ditë më par ajo kishte paralajmëruar veçse Kryeprokuroren e Pejës, Lumnije Vuçetaj se i rrezikohej jeta.
Dokumentet e publikuara treguan në media treguan se deri në ç’masë institucionet e lanë vetëm drejt vrasjes së paralajmëruar nga vetë ajo.
Dhe se si shteti e la vetëm, u zbulua edhe nga ngjarjet pararendëse.
Por vrasja e Arlinda Zekajt si ngjarje tragjike është si vazhdimësi e vrasjeve të shumta të grave në Kosovë.
Që nga viti 2016 deri më sot në Kosovë janë vrarë 23 gra nga bashkëshortët.
“Dafina Zhubi, Flora Omuri, Sevdije Berisha, Valbona Marku-Ndrecaj, Klara Ndrecaj, Hatije Dina, Armenda Aliaj, Sabile Mavrovqani, Makfire Zuka, Sebahate Morina Sopi, Marigona Osmani, Lirie Qerimaj, Besjana Rama, Shqiponja Isufi, Sadije Godeni, Hamide Magashi – shtatzënë, Liridona Ademaj, Maria Clara Urdangaray, Gjyljeta Ukella, Erona Cokli, Jetlira Foniqi, Nafije Bogujevci, Arlinda Sylaj Zekaj”.
Këto ngjarje të rënda e bëjnë edhe më të qartë se gruaja në Kosovë është e pambrojtur dhe e pasigurtë, raporton lajmi.net.
Kurse sipas të dhënave zyrtare dhe raporteve të Policisë së Kosovës, nga viti 2010 deri në tetor të vitit 2026 janë vrarë gjithsej 67 gra.
Në të shumtën e rasteve këto gra raportuan dhunën që po u bëhej, por kjo dhunë brenda familjeve të tyre u la në harresë edhe nga institucionet, që do të duhej t’u ofronin siguri.
Çka u tha tutje nga rasti i Arlinda Zekajt:
Raportimet thonë se gruaja kishte pasur mosmarrëveshje me ish-bashkëshortin, Jeton Sylaj, për përdorimin e banesës së përbashkët dhe përkujdesjen ndaj djalit të tyre.
Më 16 tetor, Gjykata Themelore në Pejë kishte lëshuar urdhër mbrojtës, duke kërkuar që Arlinda të lejohej të kthehej në shtëpi.
Ajo tregonte se familjarët e ish-bashkëshortit po qëndronin në banesë pa autorizim dhe kërkonte ndërhyrjen e institucioneve për zbatimin e vendimit.
Më 22 tetor, rreth orës 21:27, Policia e shoqëroi në banesë.
Por, sipas procesverbalit të publikuar nga Sinjali, ish-bashkëshorti refuzoi t’ia hapte portën.

Lexo edheHoxhaj: Fundi i eksperimentit 14-vjeçar të Vuçiqit, të cilit Evropa i besoi dhe Ballkani ia pagoi çmimin
Atë natë, pas konsultimeve institucionale, ishte vlerësuar se qëndrimi i saj në shtëpi nuk ishte i sigurt.
Arlinda shkoi te vëllezërit në Radac.
Tri ditë më vonë, më 25 tetor, ajo denoncoi sërish dhunë në familje.
Bashkëshorti u arrestua dhe u ndalua për 48 orë.
Patrulla policore e ktheu Arlindën në shtëpi rreth orës 20:58.
Afërsisht dhjetë minuta më vonë, ajo u gjet e vdekur.
Viktima u gjet në dhomën e gjumit.
Kunati i saj, Albert Sylaj, ësht autori i kërkuar për vrasjen.
Policia konfirmoi dyshimet për goditje me një mjet të fortë dhe njoftoi se i dyshuari për vrasjen ishte në arrati.
Ajo që dihet me siguri është se gruaja ishte kthyer në një banesë ku, tri ditë më parë, autoritetet kishin vlerësuar se nuk ishte e sigurt.
Avokatja Adelina R. Hoxha kishte kërkuar qysh edhe më herët hetim disiplinor ndaj prokurores Suada Hamza, duke treguar shkelje të rënda gjatë trajtimit të rastit të saj.
Ankesa përmendte intervistimin e fëmijës pa asistencën efektive të psikologut dhe shqetësimet për ndikim mbi deklarimin e tij.
Sipas avokates, nuk ishin siguruar menjëherë pamjet e kamerave, as dokumentuar plotësisht vendi i ngjarjes dhe provat tjera.
Ajo kundërshtonte edhe qëndrimin e fëmijës te një person i tretë, pa verifikim të mjaftueshëm të bazës ligjore.
Më 21 gusht 2026, kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj kishte vendosur ta hidhte poshtë kërkesën për procedurë disiplinore.
“HEDHET kërkesa për inicimin e procedurës disiplinore”, shkruhet në vendim, i cili e cilësonte ankesën të pabazuar. Më 22 tetor, Zekaj iu drejtua vetë Prokurorisë Themelore në Pejë me një letër urgjente./Lajmi.net/













