Vëllai i Beg Rizës, Aliu, nuk e lejoi kryeministrin Ramush Haradinaj që të marr pjesë në zbulimin e shtatores së Begut, e cila u bë sot në Deçan me rastin e Ditës së Çlirimit të këtij qyteti.
Megjithatë, në manifestimin që ishte mbajtur para zbulimit të shtatores, Haradinaj në fjalimin e tij, e kishte përmendur emrin e Begut, duke thënë se ai kishte marr pjesë në të gjitha betejat në këtë zonë gjatë luftës së UÇK’së, por pa e thënë asnjë fjalë të vetme për betejën e Kumanovës.
Ndoshta, edhe kjo ka mundur të jetë, një nga arsyet, pse Haradinaj nuk u lejua që të merr pjesë në zbulimin e shtatores.
Shtatorja e Beg Rizës është zbuluar sot në qendër të qytetit të Deçanit. Aty ka ndodhur një konfrontim në mes të vëllait të Begut dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.
Vëllai i Begut, Aliu, gati sa nuk është konfrontuar fizikisht me kryeministrin Haradinaj, pasi nuk ka pranuar në asnjë formë që të lejojë ish’komandantin e UÇK’së në Dukagjin që të marrë pjesë në zbulimin e shtatores së vëllait të tij, shkruan gazetametro.net.
Nuk janë dëgjuar fjalët se çfarë i thoshte, por reagimet e tij të ashpra janë parë teksa nuk e ka lejuar të bëjë zbulimin e shtatores.
Ndërkohë, Haradinaj ka shkuar dhe nuk ka reaguar asgjë.
Beg Rizajt është vrarë në Kumanovë të Maqedonisë, në maj të vitit 2015.
Zbulimi i shtatores është organizuar nga Komuna e Deçanit në Ditën e Çlirimit të këtij qyteti.
Reagimi duket të ketë ardhur pasi vëllai i Begut pretendon se Qeveria e Kosovës nuk i ka përkrahur kosovarët që luftuan në Kumanovë derisa kanë kërkuar hetime të kësaj ngjarje.
Ndryshe, në përleshjet dyditëshe më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, janë vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.
Gjykata Themelore e Shkupit në nëntor të vitit 2017 kishte dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015. /gazetametro.net


