Prokuroria Themelore në Pejë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 42-vjeçarit Haxhi Rexhaj, nga fshati Jabllanicë e Vogël në Pejë.
Ai dyshohet se ka kultivuar bimë narkotike, pas zbulimit të një sasie të madhe kanabisi dhe një laboratori të avancuar për prodhimin e tij.
Lajmin për Indeksonline e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Seanca është mbajtur, ndërsa deri në orën 16:00 kemi qenë në pritje të vendimit të gjyqtarit lidhur me kërkesën e prokurorisë”, ka deklaruar Nikçi.
Kujtojmë se gjatë aksionit janë sekuestruar 91 bimë narkotike të llojit Kanabis sativa, pajisje të sofistikuara për prodhimin e narkotikëve, si dhe një armë zjarri. Po ashtu, është konstatuar edhe kyçje ilegale në rrjetin elektrik për funksionimin e pajisjeve brenda laboratorit./IndeksOnline/