Katari ble 36 avionë luftarakë “F-15” nga SHBA-ja

Katari nënshkroi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrëveshje me vlerë 12 miliardë dollarë për blerjen e avionëve luftarakë “F-15”.
Siç bën të ditur Ministria e Mbrojtjes së Katarit përmes një komunikate me shkrim, ministri kataras i Mbrojtjes, Khalid bin Mohammad al-Attiyah dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, janë takuar të mërkurën në Uashington dhe kanë firmosur marrëveshjen për blerjen e 36 avionëve luftarakë “F-15” me vlerë 12 miliardë dollarë.
“Marrëveshja do të krijojë 60 mijë vende të reja pune në 42 shtete amerikane, do të mbështesë paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë, si dhe do të mundësojë bashkëpunim strategjik të ngushtë kundër ekstremizmit”, theksohet gjithashtu në komunikatën e Ministrisë katarase të Mbrojtjes.
Ndërsa në një deklaratë të Pentagonit theksohet se “shitja do t’i japë Katarit një aftësi të jashtëzakonshme për kapacitetet mbrojtëse të tij dhe do të rrisë bashkëpunimin ndërmjet SHBA-së dhe Katarit për sigurinë reciproke”.
Marrëveshja ka ardhur pas bllokadës diplomatike dhe ekonomike, që disa vende arabe filluan të aplikojnë ndaj Katarit më datë 5 qershor.
Hapat e ndërmarra nga vendet arabe kundër Shtetit të Katarit janë mbështetur edhe nga deklaratat e Presidentit amerikan, Donald Trump, në lidhje me krizën e Gjirit.
Vlen të përmendim se vetëm pak ditë më parë Presidenti Trump e akuzoi zyrtarisht Katarin për “financim të terrorizmit”.

Lexo edheRritet në 17 numri i të vdekurve në zjarrin e Londrës
Media amerikane rikujton se vitin e kaluar Kongresi i kishte dhënë dritën jeshile një kontrate me vlerë 21 miliardë dollarë për t’i shitur qeverisë së Dohas 72 avionë luftarakë “F-15” duke i hapur rrugë marrëveshjes së arritur ditën e mërkurë.
Ndërkaq, Katari dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të realizojnë një stërvitje ushtarake të përbashkët.
Sipas Ministrisë katarase të Mbrojtjes, 2 luftanije amerikane kanë mbërritur në Portin Ndërkombëtar të Hamadit, në juglindje të Dohas, për të marrë pjesë në stërvitjen e përbashkët me Forcat Detare të Emiratit të Katarit.
Në këtë deklaratë nuk u dhanë hollësi në lidhje me datën e fillimit të stërvitjes dhe përmbajtjen e saj.
Kjo do të jetë stërvitja e parë e përbashkët amerikano-katarase që nga fillimi i krizës ndërmjet Katarit dhe disa vendeve arabe rreth 10 ditë më parë.
Ankorimi i luftanijeve amerikane në juglindje të Dohas, kur tensionimi mes Katarit dhe disa vendeve arabe nuk ka marrë fund ende, ra në sy si një zhvillim shumë interesant. /trt/














