Kapiteni i FSK-së vlerësohet me titullin “Distinguished Honor Graduate” në SHBA

Një kapiten i Forcës së Sigurisë së Kosovës është vlerësuar me titullin “Distinguished Honor Graduate” pas përfundimit me sukses të Kursit Kualifikues të Forcave Speciale të Ushtrisë Amerikane në Shtetet e Bashkuara.
Sipas njoftimit të FSK-së, kapiteni E.V. ka përfunduar më shumë se tetë muaj trajnim intensiv, nga janari deri në shtator të vitit 2026, në kuadër të programit për kualifikimin Green Berets.
Trajnimi përfshinte përgatitje të avancuar në taktikat e njësive të vogla, planifikimin dhe udhëheqjen e operacioneve speciale, si dhe kualifikimin 18A Special Forces Detachment Officer dhe ushtrimin përfundimtar Robin Sage.
FSK-ja bëri të ditur se vlerësimi me titullin “Distinguished Honor Graduate” dëshmon performancën profesionale, aftësitë drejtuese dhe përkushtimin e kapitenit gjatë gjithë procesit të kualifikimit.

Lexo edhe“Liria ka Emër” thërret konferencë për media
Sipas FSK-së, kjo arritje paraqet një sukses të rëndësishëm profesional dhe kontribuon në ngritjen e kapaciteteve të saj në fushën e operacioneve speciale, si dhe në avancimin e ndërveprueshmërisë me Forcat e Armatosura të SHBA-së dhe partnerët strategjikë.












