Kanbach: Puna e gjeneruar nga AI mund të jetë e dizajnuar dobët dhe mund ta ulë cilësinë

Në kuadër të konferencës “PRIME” me temën ” “Two Steps Forward and No Stepping Back” “, Dominik Kanbach ka folur për ndikimin e inteligjencës artificiale në transformimin digjital dhe sfidat që ajo paraqet për qëndrueshmërinë e AI.
Kanbach ka theksuar se shumë kompani ende nuk e kanë të qartë se për çfarë duan ta përdorin inteligjencën artificiale, ndërsa ka ngritur shqetësime edhe për rritjen e konsumit të energjisë nga teknologjitë e reja.
Kanbach: Kompanitë duhet ta gjejnë balancën mes inteligjencës artificiale dhe qëndrueshmërisë
“Kompanitë shpesh nuk e dinë në të vërtetë se për çfarë duan ta përdorin inteligjencën artificiale. Ka një studim shumë të kritikuar që thotë se 95 për qind e projekteve të inteligjencës artificiale gjeneruese nuk krijojnë vlerë. Unë nuk po e mbështes këtë shifër, por ajo që mund të them është se kompanitë shpesh nuk kanë qartësi se çfarë duan të arrijnë me këto teknologji”, tha ai.
Kanbach ka thënë se në qindra raste të analizuara në mbarë botën nuk është gjetur një lidhje e qartë mes projekteve të inteligjencës artificiale dhe projekteve të qëndrueshmërisë.
Ai ka përmendur edhe ndikimin e inteligjencës artificiale në konsumin e energjisë dhe emetimet e kompanive të mëdha teknologjike.
Kanbach: Puna e gjeneruar nga AI mund të jetë e dizajnuar dobët dhe mund ta ulë cilësinë
“Raporti mjedisor i Google tregon se energjia e nevojshme për një kërkesë në Gemini është ulur 33 herë dhe emetimet për një kërkesë janë ulur 44 për qind gjatë vitit të fundit. Por, në të njëjtën kohë, konsumi i përgjithshëm i energjisë është rritur me 37 për qind, kryesisht për shkak të inteligjencës artificiale.”

Lexo edheGoogle: Inteligjenca Artificiale depërtoi në sistemet e tre kompanive gjatë testit të sigurisë
Sipas tij, kjo tregon se transformimi digjital nuk mund të trajtohet i ndarë nga realiteti aktual i punës, pasi rritja e përdorimit të teknologjisë po sjell edhe sfida të reja mjedisore.
Kanbach ka folur edhe për ndikimin e inteligjencës artificiale në punën e njerëzve, duke theksuar se përdorimi i saj mund ta rrisë shpejtësinë dhe produktivitetin, por jo gjithmonë edhe cilësinë.
“Duhet t’i trajnojmë njerëzit që të kenë gjykim dhe mendim kritik, në mënyrë që të jenë në gjendje t’i vlerësojnë rezultatet e inteligjencës artificiale. Puna e gjeneruar nga inteligjenca artificiale mund të jetë e dizajnuar dobët dhe mund ta ulë cilësinë.”
Ai ka theksuar se sfida kryesore nuk është thjesht të përcaktohet nëse inteligjenca artificiale do të sjellë një skenar negativ, por të përcaktohet se deri ku duhet të përfshihet njeriu në vendimmarrje.
Sipas Kanbach, kompanitë duhet të gjejnë një ekuilibër mes transformimit digjital dhe atij të qëndrueshëm, duke marrë parasysh rritjen e konsumit të energjisë dhe emetimeve.
Në fund, ai ka përcjellë mesazhin “Two Steps Forward and No Stepping Back”, duke e cilësuar atë jo vetëm si përshkrim të situatës, por si përgjegjësi për të ardhmen dhe për mënyrën se si do të përdoret inteligjenca artificiale.













