Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka disa javë që ka filluar zgjedhjet për kryetar të degëve dhe strukturave tjera drejtuese në komunat e Kosovës. Por jo në të gjitha komunat ky proces zgjedhur është duke shkuar mirë.
Para një jave situata ishte tensionuar në degën e PDK-së në Skenderaj. E njëjta situatë po pritet të ndodh edhe në Gjilan, shkruan Gazeta Insajderi.
Qemajl Mustafa ish-kryetar i Komunës së Gjilanit, përmes një reagimi ka njoftuar se nesër është procesi zgjedhor në Gjilan mirëpo në shkrimin e tij Mustafa ka thënë se është injoruar nga Kryetari i partisë, Kadri Veseli.
Sipas reagimit të Mustafës, thuhet se Veseli nuk i ka dhënë përkrahje asnjërit prej kandidatëve në Gjilan po as të degëve të tjera.
“E them me përgjegjësi të plotë, ashtu qysh e kam thënë në platformën time zgjedhore dhe në takime brenda procesit zgjedhor se lideri i PDK z. Kadri Veseli nuk i ka dhënë përkrahje blanko asnjërit prej kandidatëve në Gjilan por as në degët tjera. Kryetari i PDK mua personalisht më ka inkurajue që të jem pjesë e garës së barabartë ani pse ne dy kandidatët thuaja me asgjë nuk mund të krahasohemi. Pa dashur që ta atakoj kandidatin tjetër me asgjë, vet paraqitja e njërit nga fansat e tij përmes profilit në fb, më detyron t’i them disa fjalë për krahasim”, thuhet në reagimin e Mustafës.
Mustafa është shprehur se, “Lideri i PDK, z.Kadri Veseli nuk shpërndan dhurata në këtë proces zgjedhor pra, nuk ka kandidat të cilin e përkrahë blanko”.
Ndër tjera Mustafa ka thënë se njëri prej kandidatëve nuk ka investuar asgjë për degën e PDK-së në Gjilan.
“Përderisa njëri prej neve kandidatëve në garë ka dhënë shumë punë dhe kontribut në degë (edhe kontribut të dukshëm material bile) për shumë vite, tjetri nuk e ka investue asnjë orë punë për degën në Gjilan. Përderisa njëri ishte që nga fillimi në strukturën e degës dhe me punë të pastër gjatë gjithë jetës së tij arrijti të jetë edhe kryetar i saj dhe pastaj kryetar i komunës për shumë vite, tjetri nuk ishte asnjëherë pjesë e kësaj strukture”, ka shkruar Mustafa.
Tutje në reagimin e tij, Mustafa ka thënë se “Përderisa njëri është goditur rëndë dhe padrejtësisht nga një çark njerëzish brenda degës si zgjatim i një grupimit “tonë” monopolistësh në Prishtinë që e mbajnë peng me vite këtë degë, tjetri pikërisht sponzorizohet dhe përkrahet nga ky çark. E kështu me radhë…”.
“Ju ftoj sinqerisht që nesër pa inate personale, me zemërgjerësi e me vizion të hapur, ta fuqizoni degën e PDK në Gjilan me kuadro e aktivistë të spikatur dhe përmes votës tonë të lirë ta nxjerrim nga bataku në të cilin e kanë gjuajtur njerëzit e papërgjegjshëm, të pikërisht çarkut në fjalë”, ka përfunduar reagimin e tij Mustafa.