10 vjetori i Pavarësisë së Kosovës e gjen të ndarë në dysh Mitrovicën edhe kur është fjala për festë.
Në pjesën jugore të qytetit janë mbledhur shumë qytetarë të cilët kanë dalë në rrugët e qytetit dhe po festojnë me flamuj kombëtar e shtetëror, njofton Klan Kosova.
Në ndërkohë, në pjesën veriore nuk ka asnjë shenjë se po festohet. Njerëzit atje vazhdojnë të kryejnë punët e tyre të përditshme, pa ndonjë ndryshim nga ditët e tjera.
Qytetarët që janë intervistuar nga Klan Kosova kanë thënë se sa i përket marrëdhënieve jug-veri nuk ka përmirësime dhe se vazhdon mosbesimi.
Por kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se ky dhjetëvjetor i Pavarësisë e gjen Mitrovicën e bashkuar dhe në paqe.
Ai poashtu ka premtuar se shumë shpejt do të përfundojnë punimet e lëna në gjysmë tek “Ura e Ibrit”. Madje ai ka thënë se ky projekt i parealizuar do të përfundojë në vitin 2018.
Mitrovica, si pothuajse të gjitha qytetet e Kosovës do të shënojë Ditën e Pavarësisë me disa aktivitete.