Mediat amerikane kanë raportuar se Hillary Clinton ka listuar zv. Presidentin Joe Biden, në krye të listës së emrave që mund të nominohen për postin e Sekretarit të Shtetit, gjithmonë në rast se kandidatja demokrate do të fitojë garën për Shtëpinë e Bardhë. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar, por ekspertët e kanë cilësuar këtë një lëvizje të zgjuar. Joe Biden është një nga zërat me më shumë influencë të demokratëve në arenën ndërkombëtare, ndërkohë që gëzon një eksperiencë 44-vjeçare në institucionet më të larta të Shteteve të Bashkuara.
Në një kohë kur data e zgjedhjeve presidenciale po afron, mediat amerikane duke cituar burime pranë fushatës së demokratëve, kanë raportuar se Hillary Clinton po konsideron vendosjen e zv. Presidentit aktual Joe Biden në postin e Sekretarit të Shtetit, gjithmonë në rast se ajo do të fitojë garën për të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.
Ende nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë çështje, por sipas kanalit të informacionit që i referohen mediat, Clinton po gjykon mënyrën më të mirë për t’i propozuar 73-vjeçarit një detyrë të re.
Lakimi i Joe Biden është konsideruar si një ide majft e mirë nga ekspertët të cilët shprehen se zv. Presidenti aktual ka të gjitha cilësitë e nevojshme për të qënë Sekretari i ardhshëm i Shtetit.
Biden ka një ekperiencë 44-vjeçare në Uashington. Ai ka shërbyer si Senator në Kongresin Amerikan, duke përfaqësuar shtetin e Delauerit për gjashtë mandate, deri në emërimin e tij si zv. President në vitin 2009.
Ai ka kandiduar dy herë në rradhët e demokratëve për të qënë përfaqësuesi i kësaj force politike në garën presidenciale, respektivisht në vitet 1988 dhe 2008, por në të dyja rastet nuk ka qënë i suksesshëm, duke u tërhequr nga primaret partiake.
Por pavarësisht kësaj, Joe Biden shihet si një emër me mjaft influencë ndikuar nga roli që ka patur ndër vite në politikën ndërkombëtare.
73-vjeçari po konsideronte idenë që të provonte të garonte sërish për postin e Presidentit, por ndarja nga jeta e djalit të tij, Beau Biden, bëri që ai t’a fshinte këtë skenar.
Zv. Presidenti aktual ka qenë një mbështetës i Hillary Clinton në këtë fushatë, ndaj mbetet të shihen nëse kandidatja demokrate do t’a propozojë përfundimisht emrin e Joe Biden, për postin që ajo vetë e ka mbajtur përgjatë viteve 2009-2013.