Ismaili: Ligji për sigurimet shëndetësore i vonuar, qytetarët po varfërohen nga mungesa e mbulimit shëndetësor

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka kritikuar ashpër vonesat në reformat për sigurimet shëndetësore, duke thënë se mungesa e tyre po e rëndon çdo ditë gjendjen ekonomike të qytetarëve në Kosovë.
Duke folur në Kuvendin e Kosovës gjatë debatit për projektligjin për sigurime shëndetësore, Ismaili tha se qeveritë kanë humbur shumë kohë dhe nuk e kanë trajtuar me prioritet këtë reformë të rëndësishme.
Ai tha se vonesat në implementimin e sigurimeve shëndetësore kanë krijuar boshllëk në sistemin shëndetësor dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në varfërimin e qytetarëve.
“Sipas tij, mungesa e sigurimit shëndetësor po e varfëron qytetarin çdo ditë, ndërsa një pjesë e madhe e qytetarëve detyrohen të blejnë barna, materiale shpenzuese dhe terapi të shtrenjta, përfshirë edhe barna për sëmundje të rënda si kanceri, edhe pse disa prej tyre janë në listën esenciale”, u shpreh Ismaili.
Ai përmendi edhe gjendjen në Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), duke thënë se qytetarët shpesh detyrohen të mbulojnë vetë shpenzimet për trajtime dhe barna, për shkak të mungesës së furnizimeve bazike në spitale.
Ismaili kritikoi gjithashtu mungesën e një plani të qartë për implementimin e ligjit, duke thënë se nuk është e qartë se kur do të funksionalizohen sigurimet shëndetësore, pavarësisht parashikimit për 13 akte nënligjore që duhet të miratohen.

Lexo edheTahiri ndan foto me Thaçin: Askush s’mund ta ndryshojë historinë e lavdishme të UÇK’së dhe pavarësinë e Kosovë
“Duhet të kishte një plan të qartë kohor se kur qytetarët do të përfitojnë nga sigurimet shëndetësore, por një gjë e tillë nuk është prezantuar”, tha ai.
Ai shtoi se pavarësisht kritikave, grupi i tij parlamentar do ta mbështesë ligjin, por kërkoi debat më të thelluar dhe planifikim më konkret për zbatimin e tij në praktikë.
Ismaili theksoi se situata aktuale është shqetësuese dhe se vendi rrezikon të hyjë në një cikël të ri zgjedhor pa përfunduar reformat kyçe në sektorin e shëndetësisë. /Lajmi.net/














