Ish- komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sabit Geci, ka thënë se krahu i luftës në Drenicë nuk e ka dashur Ibrahim Rugovën.
Sabit Geci, në RTV Dukagjini, ka thënë se të gjitha gënjeshtra janë ato që thonë se e kanë dashur Ibrahim Rugovën (e ka fjalën për krahun e kuftës në Kosovë).
“Të them të drejtën një kohë të gjithë kemi qenë anëtarë të LDK-së, sepse atëherë kjo parti ishte si rezistencë. Ne edhe në vitin 1989 ishim një grup radikal brenda LDK-së”.
Ish- komandanti i Zonës Operative të Drenicës ka thënë se me fillimin e luftës aktivitetet politike është dashur të shuhen.“Në luftë e kam dhënë një intervistë kur kam thënë se çdo aktivitet politik shuhet, dhe tani liria fitohet me grykën e pushkës”.
Geci ka thënë se luftën nuk e kishte udhëhequr asnjë parti, por vetëm UÇK-ja.
“Unë shpesh kam bërë apel: O burra nuk ka organizuar asnjë parti politike luftën. Luftën ka organizuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe me urdhrat e saj në do të futemi në luftë. Por, nëse na bashkëngjiten partitë politike janë të mirëseardhura. Në ushtri nuk ka parti”.
Ditë më parë ish-komandanti i UÇK’së Sylejman Selimi ka treguar se axha i tij ka qenë kryetar i LDK’së në fshatin e tij të lindjes në Aqarevë të Skenderajt. Kështu, ai ka thënë se të gjithë e kanë përkrahur këtë parti dhe kryetarin e saj.
“Na e kemi mbajt foton e tij më 1996 dhe 1997. Axha ka qenë kryetar i LDK’së në fshat’, ka treguar Selimi në emisionin Pressing në T7.