Ish-kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ka folur pas betimit të kryetarëve të rinj në komunat veriore, përfshirë edhe kryetarin e ri të Zveçanit nga Lista Serbe.
Ai ka thënë se, ndonëse betimi është kryer të premten, procesi i pranim-dorëzimit ende nuk ka ndodhur, ndërsa situata në komunë po shoqërohet me presion ndaj administratës lokale.
“Të premten është bërë betimi, pranim-dorëzim akoma s’ka. Nuk janë duke u sjellë mirë disa drejtorë të tij, sidomos shefi i kabinetit, sepse po i bëjnë presion të fortë administratës”, deklaroi Peci.
Ai ka theksuar se para zyrës së kryetarit janë vendosur sërish simbolet me katër S, të cilat përfaqësojnë simbole nacionaliste serbe.
“Para zyrës së kryetarit i kanë vendosur prapë simbolet me katër S. Unë i kam shkruar edhe pushtetit lokal, ministrisë, por s’ka ndonjë reagim nga ta,” u shpreh ai.
Peci tha se gjatë ceremonisë së betimit është zhvilluar një takim rreth 40 minuta, por çështja e presionit nuk është diskutuar. Ai është përpjekur të ndërmjetësojë komunikim institucional.
“Pak më parë i kam shënuar ish-nënkryetarit tim që ishte i komunitetit serb që me bisedu me kryetarin e ri, tash jemi në pritje”, shtoi ai për FrontOnline.
Ai konfirmoi se në hyrje të objektit të Kuvendit Komunal gjendet flamuri i Kosovës, por nuk ka informacione të plota për simbolikën brenda zyrës së kryetarit.
“Tek hyrja e Kuvendit është flamuri i Kosovës, e për brenda zyrës së kryetarit nuk e di a janë apo jo simbolet”, tha Peci.
Sipas tij, presioni mbi stafin komunal është serioz dhe kërkon reagim urgjent nga institucionet qendrore.
“Ka presion te zyrtarët komunal dhe duhet me u tërhiq, dhe këtu duhet me ndërhy shteti, veçmas Ministria e Pushtetit Lokal”, theksoi ai.
Peci paralajmëroi se nëse situata vazhdon kështu, mund të ketë rikthim të tensioneve në komunë.
“Kjo do të thotë se nëse kështu është situata, për një kohë të shkurtër do të kthehet në pikën zero,” deklaroi ai.Ai shtoi se procesi i pagesës së energjisë ka nisur të stabilizohet, por nuk është përmbyllur.“Faturat po paguhen, ka filluar një numër i mirë, por akoma s’ka përfundu kyçja nëpër orë”, përfundoi Peci.