Ilaçi që përdoret nga miliona njerëz mund të ngadalësojë Alzheimerin, sugjeron studimi i ri

Ilaçet për hollimin e gjakut, të përdorura gjerësisht për trajtimin e problemeve të ritmit të zemrës, mund të ndihmojnë në ngadalësimin e përkeqësimit të Alzheimerit duke përmirësuar qarkullimin e gjakut në tru, sipas një studimi të ri.
Këto medikamente u përshkruhen rregullisht më shumë se 1.6 milionë pacientëve në Mbretërinë e Bashkuar që vuajnë nga fibrilacioni atrial, një çrregullim i zakonshëm i ritmit të zemrës.
Gjendja është dukshëm më e shpeshtë te personat në moshë të avancuar, si dhe tek ata që kanë rrezik të shtuar për demencë apo që tashmë jetojnë me një sëmundje që prek kujtesën.
Studiues suedezë kanë arritur në përfundimin se disa prej ilaçeve më të reja për hollimin e gjakut mund të lidhen me një përkeqësim më të ngadaltë të funksioneve njohëse te pacientët me Alzheimer, potencialisht për shkak të përmirësimit të furnizimit të trurit me gjak.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet nuk nënkuptojnë se këto ilaçe duhet t’u përshkruhen personave që nuk kanë fibrilacion atrial. Përfitimet e vërejtura në studim u konstatuan kryesisht te pacientët që përdornin gjeneratat më të reja të antikoagulantëve.
Studimi përfshiu mbi 7 mijë pacientë
Hulumtimi, i udhëhequr nga ekspertë të Karolinska University Hospital, analizoi të dhënat e 7,308 personave me fibrilacion atrial dhe Alzheimer, të regjistruar në Regjistrin Suedez për Çrregullimet Njohëse.
Pjesëmarrësit u ndanë në tri grupe: ata që përdornin antikoagulantë më të rinj, si rivaroxaban; ata që merrnin warfarin, një ilaç më i vjetër; dhe pacientët që nuk merrnin fare trajtim me antikoagulantë.
Gjendja e tyre njohëse u monitorua përmes testeve që vlerësonin kujtesën, aftësitë gjuhësore dhe funksionet motorike.
Rezultatet treguan se pacientët që përdornin antikoagulantë të gjeneratës së re kishin një rënie më të ngadaltë të funksioneve njohëse krahasuar me ata që merrnin warfarin ose nuk përdornin ilaçe për hollimin e gjakut.
Megjithatë, diferenca ishte e vogël. Pas një viti, pacientët që përdornin ilaçet më të reja kishin mesatarisht rezultat më pak se 1 për qind më të mirë në testet e kujtesës.
Studiuesit argumentojnë se, edhe pse efekti është modest në afat të shkurtër, ai mund të bëhet më domethënës me kalimin e viteve.
“Edhe pse ndryshimi nga një vit në tjetrin është i vogël për një pacient individual, në një periudhë më të gjatë edhe një efekt i tillë mund të ndikojë në mënyrën se si zhvillohet funksioni njohës”, tha bashkautori i studimit, profesor Nanbo Zhu.
Rrezik më i ulët për goditje në tru dhe vdekje të parakohshme
Pacientët e trajtuar me antikoagulantët më të rinj kishin gjithashtu rrezik më të ulët për vdekje të parakohshme, goditje në tru dhe fraktura, krahasuar me ata që nuk merrnin terapi antikoaguluese.

Lexo edheOBSH ngre alarmin/ Ebola ka dalë jashtë kontrollit. Përhapja, më vd*kjeprurëse
Edhe warfarina u shoqërua me një rrezik më të ulët për vdekje, goditje në tru dhe mpiksje të gjakut, por njëkohësisht me rrezik më të lartë për gjakderdhje serioze.
Autorët paralajmërojnë se nevojiten studime të tjera përpara se këto barna të konsiderohen si trajtim për ngadalësimin e problemeve të kujtesës.
Autorja kryesore e studimit, Dr. Maria Eriksdotter, shkroi në “European Heart Journal” se ekzistojnë arsye për të besuar se trajtimi mund të ndikojë pozitivisht në funksionet njohëse, duke përmirësuar qarkullimin e gjakut dhe duke reduktuar dëmtime të vogla në tru.
Ekspertët: Duhet të shqyrtojmë çdo mundësi kundër demencës
Dr. Richard Oakley, drejtor i asociuar për kërkime dhe inovacion në Alzheimer’s Society, e cilësoi studimin si interesant, duke theksuar rëndësinë e kërkimit të mënyrave të reja për parandalimin dhe ngadalësimin e demencës.
“Duke qenë se rreth një në tre persona mund të zhvillojë demencë gjatë jetës, është e rëndësishme të shqyrtojmë çdo mundësi që mund të na ndihmojë në luftën kundër saj”, tha ai.
Fibrilacioni atrial shkaktohet nga çrregullime në sinjalet elektrike që kontrollojnë ritmin e zemrës dhe është lidhur në studime të ndryshme me tensionin e lartë të gjakut.
Kjo gjendje është më e zakonshme te personat mbi 55 vjeç, te meshkujt, personat me obezitet dhe duhanpirësit. Disa studime sugjerojnë se fibrilacioni atrial mund ta rrisë rrezikun për zhvillimin e demencës deri në rreth një të tretën.
Tri masa në moshën e mesme mund të mbrojnë trurin
Studimi vjen pas një tjetër hulumtimi nga shkencëtarët e NYU Langone Health, sipas të cilit tri masa shëndetësore në moshën e mesme mund të lidhen me më shumë vite jetë pa demencë.
Mbajtja e tensionit të gjakut në nivele normale, shmangia e diabetit dhe mos pirja e duhanit mes moshës 45 dhe 65 vjeç u shoqëruan me afërsisht 13 vite shtesë pa demencë.
“Gjetjet tona tregojnë se njerëzit duhet t’i parandalojnë në mënyrë aktive këta faktorë rreziku që në moshën e mesme, si një strategji për të ruajtur shëndetin e trurit për më shumë se një dekadë”, tha Dr. Josef Coresh, autori kryesor i studimit.
Ai shtoi se rezultatet mund t’i inkurajojnë njerëzit të lënë duhanin dhe të kujdesen më shumë për shëndetin kardiovaskular që nga mosha 45-vjeçare. /GazetaExpress/














