Ai që ruan, që kullot dhe që mbarështon bagëtinë. Çoban. Këtë fjalë dhe shpjegimin e Fjalorit të Gjuhës Shqipe e përqafoi për shumë vite Pajtim Osmanaj nga Istogu.
Djali i ri e simpatik do të bënte një jetë modeste, deri në vitin 2013-të kur do të nisej drejt Amerikës. Atje do të përballej me shuplakat që jep arti, konkurencën, të pistat por edhe në fund, sukseset e pashmangshme për atë që punon dhe, siç themi ne shqiptarët, ‘e nxehë karrigen’.
Modestia dhe gegnishtja e një shqiptari nuk i është zhdukur edhe pse tash jeton në një frekuencë më ndryshe. 98 përqind e ditës së tij në New York është e mbushur me art dhe një përqindësh i mbetur i mbetet për çkado tjetër, si çdo artisti që ndoshta nuk ka dëgjuar tash e shumë kohë për fjalën pushim e relaksim.
Lidhja e tij me Kosovën qëndron e fortë. Artisti nga Kosova, i cili në Amerikë po e merr definitivisht vendin që e meriton, së fundmi bashkëpunoi edhe me Facebook – me programin artistik rezidencial të rrjetit të madh social.
E bukura e Osmanajt është vetë zemra e tij, pashmangshmërisht e lidhur me Kosovën, duke rezonuar edhe në punët e tij që gati gjithmonë, një fije të perit diku e kanë me Kosovën tonë, luftën, emocionet, jetën në një kohë tjetër, të vështirë.
Po e sjellim sot një intervistë me Pajtimin, duke iu njoftuar me të por edhe duke ua sjellë punët e tij më të mira artistike.
KultPlus: Po e nisim me suksesin e fundit, pjesëmarrjen në rezidencën e Facebook. A na tregon më shumë, prej fillimit e deri në fund si arrite të bëhesh pjesë?
Në muajin mars të vitit 2018-të isha pjesëmarrës në Spring Break Show, ku morra pjesë me veprën e titulluar ‘Ekskurzion’. ‘Ekskurzion’ është një vepër e formës instalacion interaktiv ku si temë kam shtjellu udhëtimin tim dhe të familjes time nga Kosova në Mal të Zi, gjatë luftës, në vitin 1999. Kuratore e ekspozitës ka qenë Sarah Han, një kuratore e re nga New York. Me këtë ekspozitë morra kritika të ndryshme, fatmirësisht kritika pozitive. Spring Break Show ishte për mua ekspozimi i parë në një nivel më të lartë në fushën artistike në New York, ku edhe krijova lidhje të reja artistike dhe morra oferta të ndryshme për ekspozita në të ardhmen. Pra nisën të hapeshin rrugët.
E këtu edhe lindi bashkëpunimi me Facebook, ku kuratorja për programin e artit nga Zyra e Facebook – Tamara Weg, më ftoi të bëhesha pjesë e projektit të ardhshëm që do të mbahej në Zyret e Facebook në New York. Aty pata mundësinë të krijoj tri murale/piktura të formatit të madh, dy prej tyre 13×5 ndërsa tjetra ishte 8 metra me 3 metra. Tematika e tri veprave lidhet kryesisht rreth nostalgjisë për kohën e kaluar, për kujtimet dhe se si ato dhe e tashmja i japin drejtim të ardhmes.
Realizimi i tri pikturave ka zgjatur shtatë javë punë, pesë javë në studio dhe dy javë të tjera instalim në Zyrën e Facebook.
KultPlus: Shumë shpesh Kosova është fokus i punëve tua artistike? Sa e fortë është lidhja jote me Kosovën, pasi ajo gjen vend në punët tua artistike?
Lidhja ime me vendin ku jam rritë është shumë e gjallë. Familja dhe pjesa më e madhe e njerëzve që i njoh jetojnë në Kosovë, gjithçka që unë e kam përjetu deri në moshën 23 vjeçare është pjesë e jetës dhe përditshmërisë sime sot.
KultPlus: Në vitin 2013-të shkove në Amerikë, fillimisht si punues në ndërtimtari? Si u gjete, si u zbulove ti ?
Fillimi i jetës në Amerikë ka qenë shumë interesant, nuk kam pasur shumë njohuri për New York, për Amerikën në përgjithësi, ishte ndryshim i madh e sidomos nëse vjen prej batallinave të Istogut në Times Square të New York.
Në fillim është dashur me gjetë punë, për me fillu një jetesë normale. Me u rritë në Kosovë asht kan zor dhe shyhret, një eksperiencë jetësore njëkohësisht, jemi rritë në rrethana të ndryshme që besoj mu më kanë ba më të përgatitun për jetë. Njëra prej këtyre përvojave është kur axha apo komshija të kanë thirrë ‘me qit plloq e me maru cement’.
















