Humb shtëpinë nga zjarri por shokët i “shpëtojnë” ëndrrën e mbrëmjes së maturës

Erdona e kishte ndarë mendjen që një nga momentet më të bukura në jetën e një gjimnazisti siç është mbrëmja e maturës të mos e përjetonte si gjithë bashkëmoshatarët e saj. Më 13 mars të këtij viti, vajzës nga fshati Shtiqen i Kukësit i digjet shtëpia me gjithçka kishte brenda saj.
Pjestarët e familjes tashmë janë shpërndarë për të fjetur tek komshinjë apo ndonjë kushëri. Prindërve i’u është dashur të sakrifikojnë pafund për shkollimin e vajzës në kryeqytet por edhe ajo i ka nderuar me rezultatet e shkëlqyera tek shkolla “Hoteleri – Turizëm” ndër vite. Por që nga dita që Erdonës i është djegur shtëpia, ka ndryshuar gjithçka në jetën e saj, që nga ekonomia e falimentuar e deri tek gjendja shpirtërore. Tashmë edhe vazhdimi i shkollës së lartë duket një mision thuajse i pamundur për vajzën nga Kukësi.
Ekskursionet apo të dalat me shoqet janë zhdukur nga fjalori i saj. Nga një vajzë e qeshur, disi rebele, me shumë personalitet ajo tani nuk flet, ka rënë paksa në mësime dhe ndonjëherë i ka rënë dhe të fikët në klasë nga mosushqyerja apo stresi. E gjithë kjo situatë e vështirë i ka bërë bashkë shokët dhe shoqet e klasës së Erdonës që ta ftojnë tek rubrika “Ka një mesazh për ty” për t’i bërë një thirrje sa prekëse por dhe aq dinjitoze.
Lexo edheRama e nis fushatën me kopje, imiton fjalimin e Albin Kurtit
Përveç fjalëve inkurajuese se do jenë përherë pranë saj ata kishin menduar që t’i paguanin shpenzimet totale për mbrëmjen e maturës që edhe ajo të përjetonte të njëjtën kënaqësi si të gjithë. Mes lotëve dhe me zërin që i dridhej ajo e ka pranuar ftesën e miqve të saj që të jetë pjesë e mbrëmjes së maturës. Në vazhdim të këtij momenti emocionues, Ardit Gjebrea i ka bërë një tjetër dhuratë Erdonës. Që premtimi të fillonte të realizohej që në ato momente, asaj i është shpalosur një pjesë e koleksionit të fustaneve të stilistit Joni Peçi për të zgjedhur atë të duhurin që do e shndërrojë Erdonën si një princeshë.
Ndërsa për miqtë e saj, Ardit Gjebrea kishte një sugjerim që të mendonin vetëm për t’u kënaqur me njëri – tjetrin sepse të gjitha shpenzimet e Erdonës për atë mbrëmje të veçantë do i merrte përsipër ai vetë. E nëse të gjitha kujtimet e fëmijërisë i’u shuajtën mes rrënojave të shtëpisë së djegur, të paktën mbrëmja e maturës do jetë një kapitull i ndritshëm që gjithmonë do e kujtojë me nostalgji./tvklan.al














