Në vitin 2016 përmes një gazete të quajtur “Rumije”, ISIS kishte urdhëruar vrasjen e pesë imamëve të Ballkanit, në mesin e të cilëve ishte edhe emri i të akuzuarit për terrorizëm, Idriz Bilibani, raporton Periskopi.
Kështu ka thënë vet i akuzuari, Idriz Bilibani, gjatë seancës gjyqësore kundër tij dhe katër të tjerëve sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, deri sa po drejtonte pyetje ndaj dëshmitarit të prokurorisë, hetuesit policor Premtim Mustafa.
Mustafa disa herë u zu ngushtë nga të akuzuarit me pyetjet e tyre, të cilave ai nuk dinte tu jepte përgjigje.
Hetuesi policor Premtim Mustafa, ishte ftuar si dëshmitar nga prokurori i Prokurorisë Speciale Haki Gecaj për të dëshmuar kundër pesë të akuzuarve për vepra të ndryshme terroriste, Fuad Ramiqi, Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Enes Goga dhe Mazllam Mazllami.
Atij fillimisht iu kërkua nga prokurori të bëj identifikimin e disa fotografive të të akuzuarve, por edhe të disa të dënuarve tjerë për vepra të ndryshme terroriste, të cilat u shfaqen në ekranin e sallës së gjykatës.
Pasi bëri identifikimin e secilit, dëshmitari u pyet nga të akuzuarit nëse e di kohën e mbajtjes së asaj ligjërate.
“Nuk e di datën, por as vitin, mendoj se ka qenë shumë herët”, tha dëshmitari Mustafa.
E kjo përgjigje u përqesh vazhdimisht nga mbrojtësit e të akuzuarve, por edhe nga vet të akuzuarit.
Ishte i akuzuari Idriz Bilibani , i cili më së shumti drejtoj pyetje ndaj dëshmitarit tha se ligjëratat prej nga kanë nisur akuzat ndaj tij dhe të tjerëve që kanë qenë pjesëmarrës në atë ligjëratë, janë mbajtur para se ISIS dhe organizata tjetër terroriste Al Nusra të ishin shpallur Organizata Terroriste.
“Dy muaj para se të mbaj unë ligjëratën, kur ne e kemi mbajtur ligjëratën, ende nuk ka qenë e shpallur si organizate terroriste Al Nusra. Organizata Al Nusra është formuar me 23 qershor 2012 dhe kjo organizatë ende nuk ka qenë e cilësuar si organizatë terroriste në kohën kur ne kemi mbajtur ligjëratat”, tha i akuzuari Bilibani.
Por, dëshmitari insistonte se këto ligjërata janë mbajtur pas formimit të këtyre dy organizatave terroriste, edhe pse nuk e dinte vitin e mbajtjes së asaj ligjërate.
“A keni njohuri se organizata e ISIS-it në vitin 2016 përmes gazetës së tyre “Rumije” ka urdhëruar që të vriten 5 imam në Ballkan, e që në mesin e këtyre pesëve, ka qenë edhe emri im. “Vriteni Idriz Bilibanin”, u shpreh Bilibani.
Dëshmitari, edhe pse ishte pjesë e Policisë së Kosovës nga viti 2001 tha se nuk ka njohuri që ISIS ka dhënë ndonjëherë ndonjë urdhër të tillë kundër Bilibanit.
Fuad Ramiqi: A ka ligj në Kosovë që e dënon ideologjinë? S’kam përgjigje, sepse në bazë të ideologjisë vijnë veprimet.
Po, dëshmitari nuk kishte njohuri as se kur ishin formuar organizatat terroriste ISIS dhe Al Nusra.
“A keni informacione se kur janë formuar Al Nusra dhe ISIS-i”, ishte pyetja e të akuzuarit Bilibani drejtuar hetuesit policor, i cili po dëshmonte kundër tyre.
“Jo nuk e di saktë”, u shpreh dëshmitari.
Dëshmitari tha se ftesat për ligjërata të tilla, të cilat nxitnin urrejtje dhe bënin thirrje për bashkëngjitje në organizatat terroriste, bëheshin përmes telefonit.
“Nga praktika të cilën e kanë përdorur këta, po flas për rastet në përgjithësi, zakonisht ato të konfirmuara nga implementimi i masave, personat në fjalë janë thirrur përmes telefonit. Kanë qenë një rreth i ngushtë i personave për me marr pjesë në tubim”, u shprehë dëshmitari Mustafa.
Ai tha se shumica e atyre pjesëmarrësve në këto ligjërata kanë përfunduar në Siri.
“Duke identifikuar personat që ishin në fotografi, hetuesi policor në cilësinë e dëshmitarit, tregoj se kjo ligjëratë është mbajtur në Gjilan dhe është mbajtur nga persona të rrethit te ngushtë, dhe gjithë këta persona sipas informacioneve të Inteligjencës i përkasin një ideologjie të njëjtë me atë të cilën e praktikojnë organizatat terroriste ISIS dhe Al Nusra. Shumica e pjesëmarrësve që kanë dëgjuar këto ligjërata kanë përfunduar në Siri”, u shprehë dëshmitari.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 16 shtator 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj kryeimamit të Pjesës, Enes Gogës, imamëve nga Prizreni, Idriz Bilibani dhe Mallzom Mazllomi, imamit nga Prishtina, Bedri Robaj, dhe kryetarit të LISBA-s, Fuad Ramiqi.
Pas shumë hetimeve dhe mbledhjeve të fakteve për disa muaj, të gjithë këta të pandehur po akuzoheshin nga organi i akuzës për veprat penale që ndërlidhen me nxitje të kryerjes së veprave terroriste.
Sipas aktakuzës, Bedri Robaj akuzohet se që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë në xhaminë e improvizuar te “Termokosi”, ku ka shërbyer si imam dhe gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur “xhihadin-shehidllëkun në Siri”. I njëjti akuzohet për shtytje të personave të pacaktuar që t’iu bashkëngjiten grupeve terroriste “Al-Nusra”.
Idriz Bilibani, akuzohet se që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në xhami-OJQ-në “El Bejan” dhe paraqitjet tjera publike të incizuara në video ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.
Kurse, aktakuza pretendon se Enes Goga në pozitën e imamit në Pejë, në një ligjëratë fetare para besimtarëve në këtë qytet, përmes “Audionur” me datën 10 mars 2014 të publikuar në youtube, në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë.
Mazllam Mazllami, akuzohet se si imam i xhamisë “Jeni Mahalla” në Prizren, gjatë predikimit të tij dhe në paraqitje publike ka nxitur dhe përkrahur publikisht urrejtje dhe mos durim ndaj grupit të komunitetit LGBTI.
Fuad Ramiqi, akuzohet se prej fillimit të muajit shtator në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit në televizione, gazeta dhe rrjete sociale ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë. /Periskopi








