Kur burri i armatosur u drejtua drejt xhamisë, për të vrarë cilindo që gjente përpara, Abdul Azizi nuk u fsheh. Në vend të kësaj, ai mori gjënë e parë që mund të gjente, një makinë kartë krediti dhe vrapoi jashtë duke bërtitur “Eja këtu!”

Aziz, 48 vjeç, është përshëndetur si një hero pasi thuhet se ka parandaluar vdekjen e shumë të tjerëve gjatë namazit të së premtes në xhaminë në Christchurch, Zelandë e Re, pasi duke e ndjekur burrin e armatosur, e frikësoi dhe e detyroi të shkonte me shpejtësi drejt makinës së tij.

Por Aziz, katër djemtë e të cilit dhe dhjetëra të tjerë mbetën në xhami, ndërsa ai u përball me personin e armatosur, tha se ai mendon se kjo është ajo që gjithkush do të kishte bërë, shkruan AP, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, burri armatosur vrau 49 persona në vrasjen më masive në historinë moderne të Zelandës së Re.

Terroristi besohet të ketë vrarë 41 vetë në xhaminë Al Noor para se të ngiste rreth 5 kilometra në qytet dhe të sulmonte xhaminë Linwood, ku vrau shtatë persona të tjerë. Një person vdiq më vonë në një spital.

“Supremacisti i bardhë”, Brenton Tarrant, 28 vjeç, është akuzuar për një akuzë vrasjeje dhe një gjykatës tha të shtunën se ishte e arsyeshme të merrnin parasysh më shumë akuza për të cilat ai do të ndiqej.

Lidhur me ngjarjen ka rrëfyer Latef Alabi, imami i xhamisë Linwood, i cili ka thënë se numri i të vdekurve do të ishte shumë më i lartë në xhami nëse Aziz nuk do të bënte një gjë të tillë.

Alabi tha se dëgjoi një zë jashtë xhamisë dhe e mbylli lutjen që po drejtonte.
Ai pa një djalë në veshje të zezë të stilit ushtarak dhe një përkrenare që mbante një armë të madhe, dhe supozonte se ishte një oficer policie. Pastaj pa dy trupa dhe dëgjoi të armatosurin duke bërtitur me të shara.

“Kuptova se kjo është diçka tjetër. Ky është një vrasës”, tha ai.