Deputetja e VV-së, njëherit kandidate për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu ka folur për takimet mes kryetarit Albin Kurti dhe atij të Nismës, Fatmir Limaj, për të cilët ka thënë se kanë pasur komunikime në vazhdimësi.
Ajo tha se Kurti ka dërguar ofertën te Nisma, por që s’kanë marrë ende përgjigje, ndërsa shpreson se do të kenë një pozitive nga ta.
“Me Limajn ka pas në vazhdimësi komunikime. Kurti ka thënë që e ka dorëzuar ofertën te Nisma, por ende nuk kemi përgjigje, presim të kemi përgjigje pozitive, por ende s’kemi asgjë konkrete. Kemi qenë të gatshëm t’i kemi partnerë në qeveri dhe urojmë ta kemi përgjigjen pozitive nga Nisma”, tha Haxhiu para gazetarëve.
“Së pari duhet pasur parasysh që as PDK-ja e as LDK-ja nuk kishin kërkuar masë të përkohshme, edhe për kundër faktit që kishin dërguar lëndën në Kushtetuese. Duke pasur parasysh aktgjykimin e Kushtetueses, gjykata ka thënë se seanca konstituive duhet të ndodhë, kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit 30 ditor dhe është e natyrshme, normal që në këto rrethana që kur nesër e kemi ditën e fundit, Kushtetuesja të marrë masë të përkohshme sipas detyrës zyrtare. Ne kemi menduar që nëse jo ndaj kërkesës së PDK-së dhe LDK-së, të paktën do të mund të marrë masë për shkak të masës së presidentes Osmanit, ajo ka kërkuar për faktin me dy çështje kryesore”, tha ajo.