Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar ‘’PRISHTINA 2019‘’, panair ky që përkrahet nga Qeveria e Kosovës, në të cilin marrin pjesë 100 kompani të ndryshme, shumica vendore. Me këtë rast, kryeministri Haradinaj para të pranishmëve, listoi veprimet që Qeveria e Kosovës pritet t’i ndërmerr sa i përket ligjeve që përmirësojnë mjedisin e të bërit biznes.
Kësisoj, kryeministri Haradinaj shtoi se Viti 2019 është vit i ekonomisë, dhe se pas stabilizimit të pagave në sektorin publik, sektori privat do të ketë përkushtimin e plotë të ekzekutivit.
Ndërkaq, Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se, sot kanë 100 kompani nga shtete më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, nga rajoni dhe shumë vende, që marrin pjesë për herë të parë, siç është rasti nga Portugalia.
“Panairi është ndër mundësitë kryesore që të promovohen vlerat e ekonomisë sonë, jo vetëm për tregun tonë, por edhe për tregjet e huaja dhe korrespondon edhe me atë e ka proklamuar Qeveria e Kosovës, që ky vit, do të jetën vit i ekonomisë”, tha kryetari Rukiqi.
Një fjalë rasti patën edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ministri i Inovacionit, Besim Beqaj dhe ministri i Zhvilimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Fjala e plotë e kryeministrit Haradinaj:
Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës prej datës 24-26 Prill 2019, organizojnë Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2019”.
Së shpejti Kuvendi i Kosovës pritet ta aprovojë ligjin për tatime në korporata dhe TVSH me të cilat edhe me tutje përmirësohet mjedisi i të bërit biznes në Kosovë. TVSH nuk do të vjelët në kufi, që ndihmon kompanitë me kapital shtesë; shteti i parë në Ballkan të implementoj këtë; Fermerëve ju ulet tatimi paushallë prej 3 në 1%; Te ndërtimi është rregulluar problemi kryesor- ngarkesa e kundërt tatimore është eliminuar ; Lënda e parë që prodhohet në Kosove do të lirohet nga TVSH-ja. Ndërkaq te ligji për të Ardhurat në korporata, kompanitë e sigurimeve do të tatimohen në fitim real e jo si deri tash me përqindje në qarkullim, po ashtu, ligji është i harmonizuar me direktivat e BE-së, që e bënë qasjen edhe më të mirë të kompanive të BE në Kosovë.
Në fund të muajit maj do të përfundojë edhe një autostradë për Shkup dhe shume rrugë tjera gjatë vitit, që e bëjnë Kosovën tregun më të mirë me lidhje rrugore në rajon. Politikat fiskale, tatimet me të ulëta në Evropë.
OEK dhe OEAK e Kosovës i kanë brenda veti arbitrazhet për zgjedhjen e kontesteve –kontratave që mundëson ambient më të sigurt për kompani që investojnë në Kosovë, po ashtu institucioni i përmbaruesit privat është shume efikas per inkasimin e obligimeve të skaduara.
Zyra e Kryeministrit është në dispozicionin e secilës kompani për të ndihmuar e në veçanti në rastin e çfarëdo padrejtësie që vjen nga sektori publik.
Viti 2019 është vit i ekonomisë edhe pasi kemi stabilizuar pagat në sektorin publik, sektori privat do të ketë përkushtimin e plotë të ekzekutivit.