Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas regjistrimit si deputet i ardhshëm i Kuvendit, e ka quajtur të turpshme sjelljen e partnerit të tij të koalicionit parazgjedhor, Fatmir Limaj nga Nisma.
Haradinaj tha se që nga intervista e tij e fundit në media nuk ka pasur komunikim me të.
“Skam komunikim që nga intervista e fundit e famshme e z.Limaj. Ka qenë shumë e vështirë krijimi i shumicës nga opozita. Pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe më të vështirë. Nëse NISMA dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ndahen nga ne, por është një ndarje mjaft e turpshme sepse ne kemi kërkuar votën për ndryshim dhe sjellja e tyre dhe veprimi i tyre është mjaft i turpshëm. Me u sill në një mënyrë të tillë nuk është në rregull”, tha Haradinaj.
Ai tha se së bashku me Limajn në çdo komunë të Kosovës kanë kërkuar votë për ndryshim e jo për vazhdim të mashtruesit.
Sa i përket seancës së nesërme konstitutive të Kuvendit, i pari i AAK-së tha se do të marrin pjesë dhe do të votojnë për kryeparlamentarin.
“Ne në princip votojmë kandidatin për kryetar të Kuvendit, do të bëjmë konsulta edhe me partitë tjera opozitare. Konstituimi i Kuvendit është interes i të gjithëve. AAK angazhohet që qeverinë ta krijojë opozita në rast të mos krijimit të shumicës nga pozita. Ne asnjëherë nuk e kemi penguar konstituimin e Kuvendit, nuk e di se kush do të jetë kandidat për kryeparlamentar”, tha ai.
Haradinaj pati një kërkesë për LVV-në që të kaloi në opozitë, derisa për opozitën tha se nuk e ka asnjë kusht. /Telegrafi/