Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim Kryeministrin Ramush Haradinaj. Ky takim i tyre vjen dy ditë pas arrestimit të zyrtarit serb Marko Gjuriq, për skenarin e të cilit besohet se prapa qëndron kreu i Shtetit Hashim Thaçi.
Në këtë takim, siç njofton komunikata, është biseduar për shumë çështje politike dhe zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Presidenti dhe kryeministri, po ashtu, kanë folur edhe për përshpejtimin e procesit për liberalizmin e vizave.
Ishte konstatim i përbashkët se Kosova do t’i respektojë obligimet që ka marrë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Gjithashtu, në këtë takim është biseduar edhe për funksionalizimin e Ekipit Menxhues për themelimin e Asociacionit në një të ardhme të afërt, gjithmonë sipas parimeve të Brukselit, Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Tonet kërcënuese nga Serbia nuk do të kenë asnjë efekt në Kosovë. Institucionet e Kosovës vlerësojnë se dialogu dhe jo ultimatumet është rruga për të ecur përpara për ndërtimin e Kosovës evropiane dhe shumetnike”, është thënë në takim.
Hashim Thaçi u raportua se kishte komandën e Policisë së Kosovës ditën e hënë kur u arrestua zyrtari serb, Marko Gjuriq, dhe u soll në qendër të Prishtinës; kokulur, i lidhur, duke anashkaluar plotësisht Shefin e Ekzekutivit, Ramush Haradinajn.
Burime të Televizionit T7 raportuan se Presidenti i Republikës e kishte zhvendosur të hënën “Dhomën e Situatave” në Zyrën e tij, ku kohë pas kohe ftonte zyrtarë të AKR’së, Ministrin e Brendshëm apo Zëvendëskryeministrin Behgjet Pacollin.
Por në asnjë moment aty nuk ishte parë Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, e as ndonjë zyrtar i AAK’së.
Haradinaj nuk u bë i gjallë gjithë ditën kur ndodhi arrestimi i Gjuriqit, ani se për këtë ndodhi reaguan zyrtarë të lartë vendorë e të huaj.
Kryeministri zgjodhi një ditë pas arrestimit që ta mbledh Këshillin e Sigurisë dhe aty të flasë disa fjalë për ngjarjen./Expresss

