Haliti falënderon qytetarët: Historia u shkrua nga duart tuaja

Sokol Haliti nga LDK ka fituar edhe një mandat si kryetar i Komunës së Vitisë.
Ndonëse vetëm 197 vota më shumë se kandidati i VV-së për kryetar të kësaj komune, Arsim Ademi, Haliti ka siguruar fitoren dhe për këtë ka falënderuar qytetarët e kësaj komune.
Ai ka thënë se historia dje është shkruar nga duart e qytetarëve.
Postimi i plotë:
Faleminderit pa fund, Vitia ime!
Historia u shkrua nga duart tuaja, me votën tuaj, me besimin që keni treguar në rrugën tonë të përbashkët. Kjo fitore është e juaja, e çdo qytetari, e çdo familjeje, e çdo të riu e të reje që besoi se puna, përkushtimi dhe ndershmëria triumfojnë gjithmonë.

Lexo edheJanar-tetor 2025, Prokuroria në Pejë ngre 1 mijë e 840 aktakuza, rreth 13% më shumë se vitin e kaluar
Ju faleminderit nga zemra për çdo takim, çdo buzëqeshje, çdo fjalë mbështetjeje dhe çdo hap bashkë në këtë rrugëtim. Ju faleminderit që treguat se Vitia është qytet i njerëzve që duan vendin e tyre, që nuk lodhen, që ecin përpara me dinjitet, me besim në punë mbi premtime, e përkushtim mbi interesin personal. Kemi dëshmuar se kur jemi bashkë, asgjë nuk na ndal!
Vitia do të vazhdojë të ecë përpara, më e fortë, më e bashkuar dhe më e vendosur se kurrë. Ne do të vazhdojmë punën me të njëjtin përkushtim, me të njëjtin respekt për çdo njeri, e me të njëjtin ideal që na bashkon: të ndërtojmë një Viti që nuk ndalet.
Kjo fitore është e popullit, e qytetarëve të ndershëm që besojnë në të ardhmen e qytetit tonë. Ju faleminderit nga zemra, për besimin, për bashkëpunimin, për dashurinë tuaj. E ardhmja e Vitisë është në duar të sigurta, sepse është në duart tuaja. Së bashku, Vitinë do ta çojmë PËRTEJ!
Juaji, me mirënjohje dhe dashuri,
Sokol Haliti.














