Apetit Group për rastin e mishit të bllokuar në Mal të Zi: Asnjë kilogram nuk ka hyrë në treg

Pas raportimeve për bllokimin e ngarkesave me mish viçi të skaduar nga Brazili në Mal të Zi, kompania Apetit Group ka reaguar duke mohuar se ndonjë pjesë e këtyre ngarkesave ka hyrë në tregun e Kosovës apo të vendeve të tjera ku operon.
Në sqarimin e saj, kompania thotë se ngarkesat e ndaluara nga autoritetet malazeze nuk kanë hyrë në procedurë importi në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Shqipëri apo Bosnje e Hercegovinë.
Sipas Apetit Group, asnjë kilogram i këtij malli nuk është importuar, zhdoganuar apo hedhur në treg në këto vende, transmeton lajmi.net.
Kompania ka theksuar gjithashtu se produktet e përmendura nuk janë futur në rrjetin e saj të shitjes dhe nuk u janë shpërndarë konsumatorëve.
“Ngarkesat nuk janë futur në tregun e vendeve ku kompania operon dhe nuk janë shitur apo shpërndarë te konsumatorët”, thuhet në sqarimin e kompanisë.
Reagimi i Apetit Group vjen pasi autoritetet e Malit të Zi bllokuan gjithsej rreth 102 tonë mish viçi nga Brazili, të cilat, sipas autoriteteve malazeze, kishin destinacion Kosovën.

Lexo edheRama në OKB/ Mban fjalim për ministren e parë me AI dhe protestat në Tiranë
Vetëm më 24 shtator, në Portin e Tivarit u ndalua një kontejner me 24.65 tonë mish viçi të ngrirë, ndërsa në një rast të mëhershëm ishin ndaluar edhe tri kontejnerë me rreth 77 tonë mish.
Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka njoftuar se ka shtuar masat e kontrollit ndaj operatorit ekonomik “Apetit”, pas raportimeve për ngarkesat e bllokuara në Mal të Zi. AUV ka bërë të ditur se, në rast se konstatohen rreziqe për sigurinë ushqimore, do të ndërmerren masat përkatëse, përfshirë ndalimin e qarkullimit dhe tërheqjen e produkteve nga tregu.
Apetit Group, në komunikatën e saj, ka siguruar konsumatorët dhe partnerët se mishi i ndaluar nga autoritetet malazeze nuk është futur në treg./lajmi.net/













