Gjyqtari kosovar, Genc Nuza ishte në qendër të vëmendjes që nga java e kaluar, pasi ndau drejtësinë në ndeshjen finale të Kupës së Kosovës, mes Ferizajit dhe Dukagjinit.
Ai u akuzua nga futbollistët e Ferizajit, Presidenti i Klubit si dhe tifozët për gabime të qëllimshme, të cilat ndikuan në rezultatin e ndeshjes, shkruan IndeksOnline.
Nuza përmes një story, ka njoftuar se ka dorëzuar zyrtarisht një kërkesë pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – përkatësisht te Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, pasi sipas tij, deklarimet e futbollistëve dhe presidentit të Ferizajit kanë krijuar një klimë armiqësore.
Ai thotë se është përballur me linçime me nxitje duke u përdorur gjuhë denigruese dhe kanë ndikuar në integritetin personal të tij dhe familjes.
Madje Genc Nuza ka paralajmëruar edhe padi në Gjykatë ndaj këtyre akterëve./IndeksOnline/
