Gjatë seancës së sotme gjyqësore ndaj ativistëve të VV-së të akuzuar për terrorizëm, njëri nga të akuzuarit, zëdhënësi i këtij subjekti politik, Frashër Krasniqi kërkoi ta marrë fjalën, raporton Periskopi.
Fillimisht gjykatësi refuzoi, e pasi Krasniqi insistonte të flasë, ai urdhëroi policët që ta largonin nga salla. Por, pas pak ndërroi mendje dhe ia dha Krasniqit një minut kohë.
Zëdhënësi i VV-së tha se sot ata nuk janë duke u gjykuar fare për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, pafajësia e tyre për këtë rast është shumë e qartë: e ka thënë forenzika, e kanë thënë alibitë tona dhe e ka dëshmuar edhe vetë prokuroria me kundërthëniet e saj.
Ai ka thënë se çdo dokument në këtë dosje e dëshmon pafajësinë tonë.
“Por megjithatë, ne jemi fajtorë. Sepse në një vend ku kriminelët janë në pushtet e jo në burg, çdokush që angazhohet kundër tyre është apriori fajtor. Në një vend ku falja e territorit, ndarja etnike dhe shkatërrimi ekonomik nuk përbëjnë faj, fajtorë janë të gjithë ata që duan shtet të qëndrueshëm me sovranitet dhe me zhvillim ekonomik. Në një shtet ku vlerë është hajnia, krimi e tradhtia, fajtor shpallesh thjeshtë nëse je student i shkëlqyeshëm dhe aktivist qytetar. Madje për këtë “faj” edhe vdes nëpër burgje”, u shpreh Krasniqi.
Sipas Krasniqit ata do të jenë fajtorë, për aq kohë sa do të ketë prokurorë si Abdurrahim Islami, për të cilët drejtësia nuk ekziston, dhe misioni i të cilëve, sipas tij, është mbrojtja e pushtetit prej kundrështarëve politikë.
“Por ne nuk brengosemi aspak nëse ju do të na dënoni, sepse të dënohesh nga kriminelët nënkupton që ua ke zënë rrugën. Ky është nder për ne. Sepse historia na tregon që lëvizjet progresive gjithmonë janë dënuar… para se të fitojnë. Dhe historia po ashtu na tregon, që pushtetet autoritare gjithmonë kanë dënuar njerëz të pafajshëm… para se të përfundojnë vetë prapa grilave. E ky, pashmangshëm do të jetë fati juaj”. /Periskopi/