Flet Hajdar Beqa – tregon a u arrestua?

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa ka thënë se nuk është arrestuar asnjëherë në jetën e tij, teksa ka reaguar ndaj një fotografie të publikuar në Facebook nga një faqe e quajtur “LDK për Kosovën” disa ditë më parë, në të cilën shihet deputeti si i arrestuar.
Beqa, në një prononcim për Insajderin të shtunën, ka thënë se fotografia në të cilën shfaqet ai si i arrestuar nuk është e vërtetë. Ka thënë se bëhet fjalë për një tentim të njollosjes së figurës së tij, nga “njerëz që mundohen të bëjnë shantazhe”.
“Ky është një tjetër tentim, në vazhdën e njerëzve që tentojnë të bëjnë shantazhe dhe të njollosin emrin tim”, ka thënë Beqa për Insajderin. “Kjo lloj fushate nuk i bën mirë askujt dhe për këtë të pavërtetë unë do t’i drejtohem organeve të drejtësisë”.
I pyetur nëse ka qenë i arrestuar ndonjëherë në jetën e tij, deputeti Beqa ka deklaruar se ai “nuk është ndodhur kurrë më parë në një situatë të tillë”.
“Sa i përket fotografisë, është krejtësisht e pavërtetë. Unë asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në një situtatë të tillë. Madje, nuk kam qenë asnjëherë i arrestuar. Po të kisha qenë i arrestuar, do të tregoja”, ka thënë Beqa.

Lexo edheFlet nipi i të mbyturit nga Vitia: Ne ishim duarthatë, kushërinjtë erdhën me drunj e shufra
Ai nuk ka përmendur emra individësh apo grupesh politike, mirëpo ka pohuar se fotoja është prodhuar nga “kuzhina të caktuara me porosi të caktuar”, që sipas tij, është njollosja e emrit të tij.
Hajdar Beqa, i arrestuar nën dyshimin për përfshirje në një rrahje. Këto janë informacionet që shfaqen në një imazh të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila është publikuar në Facebook nga një faqe e quajtur “LDK për Kosovën”.
Rasti misterioz që e përfshin Beqën në një rast të dyshuar për “lëndim të lehtë trupor” nuk është raportuar asnjëherë më parë, por disa ditë më parë është publikuar në Facebook nga faqja e rrjetit social Facebook, “LDK për Kosovën”.
“Ky është avokati i Hashim Thaçit”, shkruan ‘LDK për Kosovën’ në përshkrimin e fotografisë, e cila besohet se ishte shkrepur në vitin 2004.














