Gjykata lë në burg 35-vjeçarin për grabitjen e argjendarisë në Kamëz

Gjykata Penale e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Argys Kalsin, njërin prej autorëve të dyshuar të grabitjes së një argjendarie në zonën e Paskuqanit, ngjarje e regjistruar më 5 gusht.
35-vjeçari u shpreh në sallën e gjyqit se nuk ka lidhje me ngjarjen, ndërsa nuk ka bashkëpunuar për të treguar se kush është autori tjetër, shkruan Euronews.al.
Argys Kalsi u arrestua dy ditë më parë nga blutë e Tiranës, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria në drejtim të Maqedonisë së Veriut, përmes pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës.
Operacioni për kapjen e tij u realizua në orën 02:00 të mëngjesit, pak ditë pasi 35-vjeçari po mbahej në vëzhgim dhe në përgjim nga shërbimet policore, në mënyrë që të identifikohej autori i dytë i grabitjes.

Lexo edheVdekjet e punëtorëve në KEK, Ramadani: Ky është dështim total dhe kriminal i shtetit
Arrestimi i 35-vjeçarit erdhi pas identifikimit të gjurmëve papilare në disa sende që policia gjeti dhe sekuestroi në fshatin Zagnur, në një zonë të pyllëzuar, pak ditë pas ngjarjes.
Pasi Kalsi u ndalua në kufi, policia i mori një profil ADN-je, i cili u përputh me profilin e përfituar nga një prej maskave të silikonit që u përdorën në grabitje.












