Flamuj me Mlladiqin dhe simbole të RS-së, disa serbë tentuan ta provokojnë protestën për UÇK-në në Prishtinë

Një grup i serbëve nga Graçanica dyshohet se kishin planifikuar të lëshonin flamuj me përmbajtje nacionaliste nga ajri, gjatë protestës së sotme në Prishtinë, e organizuar me moton “Jo në emrin tim”.
Sipas burimeve të Dukagjinit, bëhet fjalë për flamuj në të cilët ishte paraqitur imazhi i Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid, si dhe një flamur tjetër me mbishkrimin e Ushtrisë së Republikës Srpska.
Burimet bëjnë të ditur se grupi dyshohet se kishte planifikuar t’i lëshonte flamujt nga Graçanica drejt zonës ku po mbahej protesta.
Sipas të njëjtave burime, dyshohet se personat që qëndronin prapa këtij plani kishin llogaritur se mjetet kundër dronëve nuk do të mund ta pengonin realizimin e këtij veprimi.
Megjithatë, nuk ka konfirmim publik nga Policia e Kosovës për këtë informacion apo për identitetin e personave që dyshohet se qëndronin prapa planit.
Dukagjini ka kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës lidhur me këtë rast, por deri në publikimin e këtij raportimi nuk ka marrë përgjigje.

Lexo edhePacolli pas protesës së sotme: Koha kërkon më shumë se fjalë, kërkon punë dhe vepra
Ndërkohë, gjatë pasdites, në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë është gjetur një mjet i dyshimtë, për të cilin Policia e Kosovës ka thënë se dyshohet se është lëshuar nga ajri. Njësiti për Trajtimin e Mjeteve të Improvizuara Eksploduese ka ndërhyrë dhe e ka trajtuar mjetin në mënyrë të sigurt.
Në kutinë ku është gjetur mjeti i dyshuar, sipas informacioneve, kishte edhe një objekt me mbishkrim në alfabetin cirilik.
Protesta “Jo në emrin tim” u mbajt sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.











