Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, shumë shpejt pritet të dal me përfundimet e nxjerra nga hetimi i bërë rreth pagesës së energjisë së shpenzuar në veri të vendit nga konsumatorët e pjesëve të tjera të Kosovës.
Avokati i popullit Hilmi Jashari ka thënë për Indeksonline se nëse vërtetohen këto pohime atëherë kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut.
“Hetimet eksofise i kemi hapur për arsyen e dyshimeve për shkeljen e të drejtave të njeriut edhe komunikimi që është bërë në media gjithashtu edhe reagimi i zyrës së rregullatorit të energjisë lidhur me këtë rast. Ky ka qenë preteksti që neve na ka nxitur të dyshojmë se mund të ketë shkelje të të drejtave të njeriut dhe kjo ka qenë arsyeja që unë kam hapur hetimet zyrtare”, ka thënë Jashari.
Ai ka treguar se tani janë në fazën e hetimeve dhe janë në komunikim me autoritetet përgjegjëse. Kjo çështje sipas tij është në interes të përgjithshëm të vendit për këtë shkak hetimet nuk do të jenë të vonuara.
Ky hap është ndërmarrë pas 18 vjetësh.
Avokati i Populli ka thënë se nëse institucionet nuk respektojnë përfundimet që do të dalin nga hetimi, ky institucion do t’u drejtohet vetë gjykatave.
Nga ana tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile akuzojnë negociatorët në bisedimet me palën serbe se nuk kanë bërë asnjë veprim për të zgjidhur këtë problem.
Tash e 18 vjet të gjithë qytetarët e pjesëve tjera të Kosovës vazhdojnë t’i paguajnë faturat e papaguara të energjisë nga banorët e 4 komunave në veri të vendit. Llogaritet se pjesa veriore ka shpenzuar më shumë se 100 milionë euro rrymë, një pjesë e mirë e të cilave tashmë është paguar nga kosovarët.
Për shkak të këtyre pretendimeve se qytetarët e Kosovës janë duke paguar një shumë të shtuar në faturat e energjisë elektrike për të mbuluar rrymën e harxhuar nga serbet e pjesës veriore të vendit, Avokati i Popullit në lidhje me këtë beson se hetimet e nisura do ta vërtetojnë shumë shpejtë një gjë të tillë.