Familja e Vjosa Osmanit në një deklaratë dhënë Gazetës Express, kanë konfirmuar që nuk kanë asnjë lidhje familjare me personin e quajtur “Krenar Jahiu”, e për të cilin në videon e shpërndarë nga faqja e Partisë Demokratike të Kosovës pretendohet se ka qenë “ushtar i Sllobodan Millosheviqit”.
Nga familja e kandidates për kryeministre nga radhët e LDK’së thonë që nuk e njohin fare se as kush është personi i përfolur në video, për të cilin gjithashtu nga faqet që e kanë shpërndarë videon pretendohet se “Krenar Jahiu” është “kushëriri i burrit të Vjosa Osmanit”, raporton Gazeta Express.
Express pak më parë ka raportuar për videon që ka shpërndarë një faqe e PDK’së në ‘facebook’ e emëruar me emrin “Rinia Demokratike e Kosovës”, e cila mund të vë në rrezik jetën e Vjosa Osmanit.
Në video krahas fotos për të cilën kjo faqe pretendon se është origjinale e në të cilën pretendohet se shihet edhe personi i quajtur “Krenar Jahiu”, është bashkëngjitur edhe fotografia e Vjosa Osmanit bashkë me burrin e saj, Prindon Sadriu.
Në fund të videos lihet madje edhe një mesazh në gjuhën angleze “We will find you where you are” apo përkthyer në shqip “Ne do të gjejmë ku je”.
Kjo video është publikuar në kohën kur kandidatja e LDK’së, Vjosa Osmani, ia ka mësyrë garës për t’u bërë kryeministre e Republikës së Kosovës në zgjedhjet që do të mbahen më 6 tetor. /GazetaExpress/