BallinaLajmeLajmet e FunditEuropoli godet rrjetin e drogës në Spanjë, Itali dhe Shqipëri

Europoli godet rrjetin e drogës në Spanjë, Itali dhe Shqipëri

Europol, në bashkëpunim me policinë italiane zhvilloi të martën e 8 korrikut një operacion ndërkombëtar anti droge në Spanjë, Itali dhe Shqipëri duke i dhënë një goditje organizatës kriminale “Ndraheta”.

Në pranga kanë rënë 28 persona me kombësi italiane dhe shqiptare, të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Ndër të arrestuarit është edhe një shtetas italian nga rajoni i Kalabrisë, i dyshuar si organizator i një rrjeti kriminal për shpërndarjen e kokainës në zonën San Basilio të Romës.

Ai, së bashku me tre djemtë e tij, dyshohet se bashkëpunonte ngushtë me një grup kriminal shqiptar që mbulonte pjesën logjistike të trafikut të kokainës.

Grupi shqiptar dyshohet se organizonte nxjerrjen e ngarkesave me drogë nga porte të ndryshme në Spanjë dhe Holandë dhe më pas transportin e tyre drejt Italisë. Po ashtu, ata ishin përgjegjës për shpërndarjen e lëndëve narkotike në zona të tjera të kryeqytetit italian.

Hetimi ka zbuluar se kokaina që tregtohej në Itali importohej nga Amerika e Jugut dhe transportohej me kontejnerë në porte të ndryshme të Evropës. Një pjesë e rëndësishme e trafikut kalonte nga porti i Gioia Tauro (Xhoja Tauro) në Kalabri, me ndihmën e ndërmjetësve lokalë të mafias.

Sipas prokurorisë, rrjeti kriminal ka trafikuar të paktën 1019 kilogramë kokainë dhe 1497 kg hashash në 80 operacione të ndryshme. Po ashtu, katër shtetas italianë dyshohet se kanë rrëmbyer dhe torturuar një trafikant droge, duke i shkaktuar atij dëme të rënda fizike dhe psikologjike – një akt që ilustron brutalitetin e lidhur me aktivitetin e ‘Ndrangheta’-s.

Ngjarja u filmua me telefon celular dhe videoja u përhap brenda rrjetit për të ushqyer frikën dhe nënshtrimin në mesin e anëtarëve.

Hetimi zbuloi edhe përdorimin e teknologjive të sofistikuara për të fshehur komunikimet brenda rrjetit kriminal. Përdorimi i mesazheve të koduara nëpërmjet pajisjeve speciale, të shpërndara nga një ofrues shërbimesh kriminale shqiptar, ndihmoi anëtarët të shmangnin zbulimin nga autoritetet.

Edhe ky individ u arrestua gjatë operacionit të 8 korrikut. Europol njoftoi se ky operacion ndërkombëtar përbën një goditje të rëndësishme ndaj rrjeteve të krimit të organizuar që veprojnë në të gjithë Evropën.

- Advertisement -