Aksioni i sotëm në ‘Call Center’| 7 të arrestuar, mbi 4 milionë euro dëme- detaje nga aksioni i sotëm nga Policia në bashkëpunim me “Europol”

Një aksion i gjerë policor në mes Njësive kundër krimit ekonomik dhe Prokurorisë Sepale është realizuar sot në disa lokacione.
Një qendër e thirrjeve në Kosovë është bastisur në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër një rrjeti kriminal të dyshuar për mashtrime me investime online, ku humbjet e viktimave vlerësohen në mbi katër milionë euro.
Operacioni në fjalë është zhvilluar nga Policia e Kosovës , në bashkëpunim me ato nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Eurojust dhe Europol, trasnmeton lajmi.net.
Sipas njoftimit të Eurojust-it dhe Europol-it, deri më tani dihet se:
17 lokacione janë kontrolluar në kuadër të operacionit ndërkombëtar.
Një qendër thirrjesh në Kosovë dyshohet se përdorej për të bindur viktimat të investonin shuma të mëdha parash.
Mbi 100 serverë janë sekuestruar, së bashku me prova dhe asete të tjera.
Shtatë persona janë arrestuar me qëllim ekstradimin në Gjermani.
Rrjeti dyshohet se mashtronte qytetarë përmes platformave të rreme të investimeve në kriptomonedha, valuta të huaja dhe aksione.
Humbjet e shkaktuara nga skema vlerësohen në mbi katër milionë euro.
Hetimet kanë zbuluar një kompani me bazë në Qipro dhe Izrael, e cila dyshohet se furnizonte grupe kriminale me faqe interneti mashtruese për realizimin e mashtrimeve online.
Autoritetet dyshojnë se klientë të kësaj kompanie në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut operonin qendra të paligjshme thirrjesh.
Si funksiononte skema?

Lexo edheEurojust konfirmon aksionin ndaj Call Center në Kosovë
Viktimat joshen përmes platformave online që premtonin fitime të mëdha nga investimet. Fillimisht, ato investonin shuma të vogla dhe në llogaritë e tyre shfaqeshin fitime të rreme, me qëllim krijimin e besimit.
Më pas, personat që paraqiteshin si ndërmjetës financiarë ushtronin presion për investime më të mëdha. Kur viktimat kërkonnin të tërhiqnin paratë, dyshohet se u pengohej tërheqja, derisa mashtruesit zhdukeshin me shumat e investuara.
Hetimi ka nisur në vitin 2022, pas ankesës së një çifti gjerman që kishte investuar kursimet përmes një platforme online, por nuk kishte arritur t’i tërhiqte fitimet.
Çfarë dihet për aksionin në Kosovë?
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit dhe Sektorit për Hetime Financiare, kanë marrë pjesë në operacion.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka konfirmuar për lajmi.net se aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.
“Mund të konfirmojmë që është duke u zhvilluar një aksion, në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare”, ka thënë Luta.
Europol-i ka dërguar ekspertë në Kosovë dhe Shqipëri për të mbështetur hetimet digjitale dhe analizimin e provave të sekuestruara.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera për lokacionin e saktë të qendrës së thirrjeve në Kosovë, identitetin e të arrestuarve apo rolin individual të tyre në skemën e dyshuar kriminale./Lajmi.net/














