Ermal Sadiku reagon për zhvillimet në LDK: Nuk kam ardhur të krijoj ndarje, por të kontribuoj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, duke theksuar se qëllimi i tij në këtë subjekt politik është të kontribuojë për vendin dhe jo të bëhet pjesë e ndarjeve apo grupeve brenda LDK-së.
Përmes një postimi të gjatë në rrjetin social Facebook, Sadiku ka bërë të ditur se zgjedhjen për t’iu bashkuar LDK-së e ka bërë me bindje dhe besim, duke shprehur bindjen se partia forcohet përmes ideve, bashkëpunimit dhe zgjidhjeve konkrete, transmeton lajmi.net.
Ai ka theksuar se nuk është pjesë e garës së brendshme për lidership dhe se, të paktën në këtë fazë, nuk ka aspirata për të marrë një përgjegjësi të tillë.
Sadiku ka kërkuar që deri në përfundimin e kësaj gare të mos pyetet se cilën palë mbështet, duke bërë të ditur se do të vazhdojë të flasë për idetë, projektet, problemet dhe ndryshimet që, sipas tij, i nevojiten LDK-së.
“Sepse LDK-ja nuk rritet duke zgjedhë anë, por duke ndërtu ide, duke pranu gabimet dhe duke ofru zgjidhje”, ka shkruar ai.
Deputeti i LDK-së ka deklaruar gjithashtu se do të bashkëpunojë me këdo që merr përgjegjësinë e udhëheqjes së partisë pas përfundimit të garës, duke theksuar rëndësinë e respektimit të vendimeve të përbashkëta, edhe në rastet kur nuk pajtohet me shumicën apo udhëheqjen.
Në postimin e tij, Sadiku ka bërë të ditur se po vazhdon angazhimin e tij në punën parlamentare. Ai ka njoftuar se një ditë më parë ka dorëzuar 15 amendamente për Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, ndërsa është duke punuar edhe në amendamente të tjera për ligje të ndryshme.
Në fund të reagimit, Sadiku ka kritikuar qasjen politike që, sipas tij, bazohet në logjikën se kushdo që nuk është në një anë, konsiderohet se është në anën kundërshtare.
“Ata që mendojnë kështu janë ende shumë larg fitores dhe lidershipit”, ka përfunduar Sadiku.
Reagimi i plotë i Ermal Sadikut:
Në LDK kam ardhë me punu. Me kontribu. Me bo diçka të mirë për vendin tim.
Zgjedhjen për me qenë pjesë e LDK e kam bo vetë. Me bindje, me besim dhe me dashni.
Por nuk kam ardhë në LDK me luftu brenda LDKs. Nuk kam ardhë me kriju grupe, ndarje apo dallime mes njerëzve.
Përkundrazi. Besoj që sa më shumë njerëz të mirë të ketë LDK-ja, aq më e fortë bëhet ajo. Besoj që LDK-ja, kur është në pushtet, qeveris dhe performon më mirë se çdo parti tjetër në Kosovë.

Lexo edheShtirej si punonjës i AKI-së dhe premtonte punësim kundrejt parave, arrestohet i dyshuari në Prishtinë
Tash ka nisë një garë brenda LDK-së, në të cilën unë nuk marr pjesë. Nuk garoj për lidership dhe nuk kam aspirata të tilla. Të paktën jo tash.
Prandaj, deri sa të përfundojë kjo garë, ju lus mos më pyesni rreth kësaj dhe me kënd jam.
Por do të vazhdoj me folë për idetë dhe vizionin mbi të cilin besoj se duhet të rritet LDK. Dua me folë për projektet dhe problemet. Për qëllimet dhe gabimet. Për atë që kemi bo mirë, por edhe për atë që duhet ta ndryshojmë.
Sepse LDK-ja nuk rritet duke zgjedhë anë, por duke ndërtu ide, duke pranu gabimet dhe duke ofru zgjidhje
Jam në LDK. Jam me Kosovën.
Kur të përfundojë gara, kushdo që merr përgjegjësinë e udhëheqjes, do ta ketë bashkëpunimin tim. Ashtu siç kam vepru deri tash, do t’i respektoj vendimet e përbashkëta, edhe kur personalisht nuk pajtohem me shumicën apo udhëheqjen.
Sepse unë besoj që partitë dhe shteti ndërtohen me bashkëpunim, jo me përçarje. Me punë, jo me intriga. Me ide, jo me grupe.
Ndërkohë, unë po vazhdoj me punu.
Dje i kam dorëzu 15 amendamente për Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi. Jam duke punu edhe në amendamente të tjera, për ligje të tjera që besoj se mund dhe duhet të përmirësohen.
Dhe krejt në fund, një porosi për ata që mendojnë se politika funksionon me logjikën: “Nëse s’je me mu, je me ata.”
Ata që mendojnë kështu janë ende shumë larg fitores dhe lidershipit./lajmi.net/












