Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se terrorizmi është rreziku më i rëndësishëm, që kërcënon stabilitetin e Afrikës Lindore.
Kreu i shtetit turk, i cili vizitoi sot Ugandën në kuadër të një turneu 3-ditor në Afrikën Lindore, është pritur me ceremoni zyrtare nga homologu Yoweri Museveni.
Gjatë ceremonisë së mbajtur në rezidencën presidenciale të Ugandës, fillimisht u ekzekutuan himnet kombëtare të dy vendeve, më pas lideri turk përshëndeti Gardën e Nderit dhe në fund u kryen 21 të shtëna topi.
Në vijim, dy presidentët prezantuan delegacionet e tyre me njëri-tjetrin dhe kaluan në takimet kokë më kokë dhe ndërmjet delegacioneve.
Pas bisedimeve, që në fokus kishin marrëdhëniet bilaterale Turqi-Ugandë dhe problemet globale, ndërmjet dy vende u nënshkruan një sërë marrëveshjesh në fusha si diplomacia, bashkëpunimi ushtarak, mbrojtja, arsimi, turizmi, sporti, energjetika, etj.
Ndërsa në konferencën e përbashkët për shtyp, që u organizua në fund të ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve, Presidenti Erdogan tha se terrorizmi është rreziku më i rëndësishëm, që kërcënon stabilitetin e Afrikës Lindore.
“Tri janë kryefjalët, që u kushtoj më tepër rëndësi në lidhje me këtë çështje. E para prej tyre është sektarizmi, e dyta është racizmi dhe e treta është terrorizmi. Ne po e paguajmë koston e këtij në vendin tonë, që lufton prej 35 vitesh kundër terrorit. Deri më sot, ne kemi shpalosur përpjekje shumë të mëdha në luftën tonë kundër terrorizmit dhe kundër terrorit e terroristëve në rajon. Ju e njihni mirë këtë çështje. Kurse ne do të vazhdojmë t’u shkojmë në ndihmë viktimave të terrorit”, theksoi ai.
Lideri turk iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve në lidhje me zhvillimet ndërkombëtare.
“Bota është më e madhe se 5. Këto 5 shtete janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe përcaktojnë fatin e të gjithë botës. Në mesin e këtyre anëtareve permanente nuk ka asnjë vend afrikan dhe asnjë vend me popullsi myslimane. Bota nuk mund të qeveriset në një situatë të trajtësuar kaq padrejtësisht. Shtetet anëtare të përkohshme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk kanë ndonjë funksion. Anëtarësimi i përhershëm me rotacion i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është një sistem, që duhet të përvetësohet edhe nga Këshilli i Sigurimit. Sepse bota është më e madhe se 5. Atje duhet të zënë vend edhe Turqia, edhe Uganda”, nënvizoi presidenti turk.
Mes të tjerash, Erdogan bëri me dije se Turqia dëshiron të investojë në të gjitha fushat në Ugandë.
“Turqia nuk ka pasur asnjëherë të kaluar koloniale në Afrikë. Marrëdhëniet, që ne dëshirojmë të formojmë me vendet e këtij kontinenti, bazohen në respekt të ndërsjellë. Mund të kemi investimeve të përbashkëta në të gjitha fushat; në industri, turizëm, ekonomi, tregti, bujqësi, etj. I shpreha mikut tim se jemi të gatshëm që të ndajmë me Ugandën përvojën tonë në infrastrukturë dhe superstrukturë. Jemi të bindur se e ardhmja e Ugandës është më e ndritur. Uroj që vizita ime të jetë po kaq e frytshme dhe pjellore sa Nili i Bardhë”, përfundoi ai.
Ndërsa Presidenti i Ugandës, Yoweri Museveni, tërhoqi vëmendjen se lidershipi i Turqisë është burim frymëzimi jo vetëm për vendin e tij, por edhe për të gjithë Afrikën.
“Turqia ka shënuar progres të jashtëzakonshëm falë lidershipit të Presidentit Erdogan”, u shpreh Museveni. /trt/