Ekzekutohet dhe shefi i Inteligjencës së Basij-it, Esmail Ahmadi Moghaddam

Shefi i inteligjencës së Basij-it, Esmail Ahmadi Moghaddam, raportohet se është vrarë mes sulmeve të vazhdueshme të SHBA-ve dhe Izraelit që synojnë udhëheqjen dhe aparatin ushtarak të Teheranit.
Ky ekzekutim vjen pas një serie atentatesh ndaj figurave kryesore të sigurisë iraniane, përfshirë ministrin e inteligjencës dhe shefin e sigurisë kombëtare.
Ushtria izraelite konfirmoi të premten në mëngjes se zyrtari i lartë i inteligjencës së forcës paramilitare Basij, e njohur për frikën që ngjall brenda vendit, u vra në një sulm ajror. Ahmadi thuhet se u vra në të njëjtin sulm ku u eliminua edhe gjenerali Gholam Reza Soleimani, udhëheqësi i forcës vullnetare, më herët këtë javë.
“Ahmadi luajti një rol qendror në avancimin dhe ekzekutimin e operacioneve terroriste të kryera nga forcat e Basij-it, dhe gjithashtu ishte përgjegjës për zbatimin e rendit publik dhe vlerave të regjimit në emër të Gardës Revolucionare,” tha ushtria izraelite

Mes protestave të brendshme në Iran, veçanërisht kohët e fundit kur ato janë intensifikuar, Ahmadi kishte udhëhequr operacionet kryesore të shtypjes përmes dhunës së ashpër, arrestimeve masive dhe përdorimit të forcës kundër protestuesve civilë.

Lexo edheTragjedia në Vjenë të Austrisë, Ambasada e njofton se trupat e vdekur të 3 kosovarëve janë nisur për Kosovë
Sulmi që vrau Soleimani-n dhe Ghani-n u bazua në një informacion nga civilë iranianë, të cilët raportuan se drejtuesit e Basij-it ishin strehuar në një tendë me oficerët e tyre në një zonë pyjore të Teheranit, pasi sulmet amerikano-izraelite kishin shkatërruar selitë dhe postet komanduese gjatë dy javëve të fundit.
Instituti për Studimin e Luftës (ISW) në Washington theksoi se rrethanat e vrasjes së figurave iraniane tregojnë ndikimin operacional dhe psikologjik të Operacionit Epic Fury mbi aparatin e sigurisë së Teheranit. Raportet flasin se disa forca sigurie janë detyruar të fshihen nën ura për të shmangur sulmet.
Ahmadi është zyrtari i katërt i lartë iranian i konfirmuar i vrarë nga sulmet e SHBA-ve dhe Izraelit këtë javë, së bashku me Soleimani-n, sekretarin e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare Ali Larijani dhe ministrin e inteligjencës Esmaeil Khatib.
Më herët të premten, televizioni shtetëror iranian raportoi se zëdhënësi i Gardës Revolucionare Islamike, Ali Mohammad Naini, ishte vrarë gjithashtu, vetëm disa orë pasi kishte deklaruar se Teherani ishte ende i aftë të ndërtonte raketa pavarësisht bombardimeve 21-ditore të SHBA-së dhe Izraelit.














