Skandali seksual ndaj të miturës nga Drenasi, i cili tronditi opinion publik në Kosovë dyshohet se fillimisht ndodhi pasi që e mitura kishte shkuar për ta raportuar ngacmimin seksual nga mësimdhënësi.
Gjatë ditës së djeshme është arrestuar avokati Gazmend Halilaj, i cili ishte i pari që denoncoi rastin.
Arrestimi i avokatit Gazmend Halilaj, erdhi pas dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Syri.net Kosova, ka arritur të sigurojë kallëzimin penal që avokati Halili i ka bërë Prokurorit të rastit, Ruhan Salihut dhe tre hetuesve të Inspektoratit Policor të Kosovës, Bardhylit (siç thuhet në kallëzim penal), Mirvan Currit dhe Dardan Bulliqi.
Në arsyetimin e këtij kallëzimin penal, thuhet se katër të dyshuarit e parë kanë kryer veprën penale:
“Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë nga neni 422 lidhur me 31 të KPK-së, veprën penale Keqpërdorim i informatës zyrtare nga neni 433 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 dhe 31 i KPK-së”.
Syri.net Kosova ka kontaktuar me avokatin Arbër Fazliu, i cili po mbron kolegun e tij, Gazmend Halilaj.
Fazliu tregon arsyet e klientit të tij për të ngritur padi kundër organeve të shtetit, të cilat, siç thotë ai, po mundohen të devijojnë provat dhe t’i hakmerren Gazmend Halilajt pas denoncimit publik që ai ia bëri rastit të të miturës në Drenas, për të cilën gjë avokati Halilaj u pyet edhe nga e përditshmja amerikane” New York Times”.
“Ky arrestim erdhi pasi klienti im bëri kallëzimin penal ndaj prokurorit Ruhan Salihu dhe hetuesve të IPK-së, si dhe pas deklaratave të avokatit për “New Yourk Times” lidhur me rastin e të miturës nga Drenasi, Gazmend Halilaj u arrestua”.
Ai deklaroi se ky arrestim është bërë pa asnjë bazë ligjore nga ana e Prokurorisë, për më tepër të kërkohet paraburgimi i tij.
Më tutje avokati Fazliu i tha Syri.net Kosova se nesër rreth orës 12:00 pritet të dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë, klienti i tij, Gazmend Halilaj.
Avokati Gazmend Halilaj është arrestuar dje në orën 14:45.
Ditë më parë mediat raportuan se viktima e mitur kishte shkuar në polici për të raportuar ngacmimin e mësimdhënësit, por që më pas kishte rënë pre e dhunimit dhe keqpërdorimit seksual edhe nga polici.
Pas publikimit të këtij skandali është bërë arrestimi i mësuesit Sh. Xh., i cili dyshohet për keqpërdorim seksual dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare. Për abuzimin me të miturën me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë është arrestuar edhe polici hetues V.V., i cili gjithashtu dyshohet se duke e përdorur pozitën e tij zyrtare ka keqpërdorur seksualisht viktimën.
Më pas u arrestua edhe doktori F.A., i cili për 230 euro dyshohet se ka bërë ndërprerjen e palejuar të shtatzënisë – abort./Syri.net Kosova
