E fundit: Bideni përmbys rezultatin në Georgia, kalon në epërsi dhe i afrohet tepër fitores

Sipas përditësimit më të ri të numërimit të rezultateve në zgjedhjet presidenciale në ShBA, demokrati Joe Biden e ka përmbysur epërsinë e Trumpit në Georgia dhe tashmë ka kaluar vetë në epërsi.
Në bazë të të dhënave të televizionit Fox News, Joe Biden në Georgia tash ka 2.449.371 vota, ndërsa rivali i tij, Donald Trump, ka 2.448.454 apo 917 vota më pak.
Rezultati aktual në Georgia (Burimi: Fox News)
Ky është një ndryshim drastik i rrjedhës së garës së ngushtë, për shkak se tashmë në Georgia janë numëruar 99 për qind e votave dhe rikthimi i mundshëm i epërsisë së Trumpit është matematikisht pak i mundshëm, shkruan Gazeta Express.
Duhet theksuar se Georgia ka 16 vota në Kolegjin Zgjedhor dhe fitorja eventuale e Bidenit në këtë shtet do t’ia siguronte Bidenit fitoren në zgjedhje, të cilën edhe ashtu e ka afër, bazuar edhe në epërsinë momentale që e ka në Nevada.

Lexo edheJoe Biden shumë afër fitores finale, kjo është arsyeja
Në Nevada, Joe Biden është në epërsi ndaj Trumpit, por vetëm me rreth 12 mijë vota, që nuk ia garanton fitoren ende. Sidoqoftë, kjo epërsi është më e lartë se një ditë më parë, kur dallimi mes tyre në këtë shtet ishte më pak se 8 mijë vota.
Zyrtarisht, fituesi i zgjedhjeve vendoset në mbledhjen e Kolegjit Zgjedhor që mbahet në dhjetor, ndërsa presidenti përfundimisht inaugurohet në mbledhjen e Kongresit që mbahet më 6 janar të vitit të ardhshëm.














