Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura në opinion lidhur me zhvillimet gjatë procesit të verifikimit të rezultateve në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut.
Në një sqarim zyrtar, KQZ ka bërë të ditur se është konstatuar një gabim teknik në shtypjen e disa fletëvotimeve, konkretisht në kodin e vendvotimit, por që ky gabim nuk ndikon në integritetin e procesit të votimit dhe numërimit.
“Bazuar në informatat e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut, është konstatuar se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve ka ndodhur një gabim në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimit, konkretisht në kodin e vendvotimit”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
KQZ ka njoftuar se ka komunikuar me kompaninë përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, e cila ka pranuar mundësinë që gabimi të ketë ndodhur në printerin mekanik që vulos të dhënat variabile. Kompania do të përgatisë një sqarim zyrtar në ditët në vijim.
Sipas KQZ-së, numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të shtypura është evidentuar saktë, ndërsa për çdo vendvotim, fletëvotimet kanë numra serikë që përputhen plotësisht me ato të pranuara dhe të verifikuara deri më tani në Qendrat Komunale të Gjakovës dhe Mitrovicës së Jugut./IndeksOnline/