Duda Balje ka reaguar lidhur me çështjen e përkatësisë etnike të Ena Krasniqit, motrës së Donika Kadaj-Bujupit, duke theksuar se vendlindja e nënës së saj në Sarajevë nuk është e mjaftueshme për të përcaktuar etnicitetin.
Balje ka deklaruar se Krasniqi vetë është deklaruar shqiptare gjatë kandidimit në listat e AAK-së në zgjedhjet lokale, duke shtuar se ndryshimi i etnicitetit për arsye politike apo interesash elektorale nuk është i drejtë.
Sipas Baljes, ky veprim rrezikon karakterin multietnik të politikës në Kosovë, ndërsa është shprehur e bindur se institucionet si KQZ-ja, PZAP-ja dhe Gjykata Supreme do ta refuzojnë këtë rast.
“Vetë fakti se nëna e zonjës Krasniqi është lind në Sarajevë edhe në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, nuk është e mjaftueshme ta caktojë etnicitetin. Krasniqi vetë ka deklaruar për veten se është shqiptare kur kanë garuar në listat e AAK-së për zgjedhjet lokale, tash a është për shkak interesi apo për ndonjë program tjetër nuk e di, nuk është në rregull të ndërrohet etniciteti në bazë të veprimeve politike”.
“Kemi përkrahur vendimin e KQZ-së, kanë reaguar edhe partitë tjera boshnjake, jo vetëm ne si SDU. Tash sa shqiptarë janë lindur në Turqi, që kanë nënën nga Turqia dhe ti nesër je duke vrarë politikën multietnike në Kosovë, e kuptoj që është më lehtë dhe secili kandidat shqiptar ka nevojë për më shumë vota për të marrë një pozitë, por kjo nuk është fer. Jam e bindur që secili institucion në Kosovë, si KQZ-ja, PZAP-ja dhe Supremja do ta refuzojnë këtë”, theksoi ajo në emision “Info Magazine”.