Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh zëvendëskryeministër i vendit, Fatmir Limaj, ka folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Teksa ka komentuar bisedimet e ditëve më parë ndërmjet presidentit kosovar, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, Limaj ka thënë se “dialogu me Serbinë nuk ka rifilluar”.
Ai ka thënë në RTV Dukagjini se askush s’mund ta përfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë, “pa u bërë platforma, dhe pa diskutuar në Parlamentin e Kosovës”.
Sipas Limajt, bartësi i dialogut duhet “të përcaktohet nga diskutimet në Parlament”.
Duhet të përcaktohet se për çfarë do të flitet në dialog, ka thënë Limaj. “Duhet një platformë, një mandat, për ta ditur se çfarë do të flasim”, është shprehur ai.
“S’mund të ndodhë ndryshe dialogu”, ka deklaruar Limaj. “Nisma është kundër dialogut pa një platformë, pa bisedime pozitë-opozitë për ta ndërtuar një konsensus”, ka theksuar ai.
I pyetur se nëse është i informuar për bisedimet Thaçi-Vuçiq, Limaj është përgjigjur: “Nuk e di se çfarë kanë biseduar”.
“Takime bilaterale mes dy presidentësh mund të ndodhin. Por, nuk mund të flasë në emër të Kosovës, askush, pa e marrë mandatin”, ka deklaruar Limaj.

