Prokuroria Themelore në Prishtinë më 12 shkurt 2026 kishte ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave: Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, lidhur me rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë, e cila përshkruan rrethanat se si ka ndodhur vrasja.
Çka thuhet në pikën e parë të aktakuzës?
Aktakuza nis me atë se çka kishte ndodhur më 1 shtator 2024 rreth orës 22:04 në lokalin “From”. Në këtë pikë akuzohen Korab Gashi, Valdrin Ademi, Dardan Marevci dhe Erd Marevci.
Sipas aktakuzës, në lokalin “From” dhe jashtë tij në Prishtinë, në bashkëkryerje, me dashje dhe me qëllim hakmarrjeje, të pajisur me armë zjarri, me qëllim që ta privojnë nga jeta Salih Sekiraqën dhe anëtarët e grupit të tij, Robert Llumnicën, Fatos Abazin dhe Endrit Llapashticën, me dashje dhe me vetëdije, duke vënë në rrezik jetën edhe të personave të tjerë, të pandehurit Vesel Bunjaku, si dhe personave tjerë që gjendeshin në lokal dhe afër tij, të akuzuarit si pjesëtarë të grupit “Capat”, mblidhen, maskohen dhe pajisen me armë AK-47, me pesë armë të shkurtra dhe me mjete të forta– stupca.
Aktakuza thotë se të akuzuarit më pas marrin tri vetura, duke ua ndërruar targat dhe vendosën targa të vjedhura, ku tani i ndjeri Premtim Gashi, së bashku me Korab Gashin, Valdrin Ademin, Dardan Marevcin dhe Erd Marevcin, si dhe me persona të tjerë të paidentifikuar, nisen me tri vetura në lokalin “From”, ku e dinin se gjendeshin Salih Sekiraqa me grupin e tij.
Motivi i sulmit, sipas aktakuzës, lidhet me konfliktin e mëhershëm të datës 4 mars 2024, të ndodhur mes Shkumbin Sekiraqës (djali i Salih Sekiraqës) dhe Pajtim Gashit (vëllai i tani të ndjerit Premtim), i cili e kishte përshkallëzuar konfliktin mes dy grupeve.
Në aktakuzë thuhet se sapo arrijnë në afërsi të lokalit, zbresin nga veturat dhe lëvizin me shpejtësi drejt hyrjes. Në ato momente, Robert Llumnica nga pozicioni përballë fillon i pari të shtijë me armë zjarri në drejtim të tyre, por pavarësisht gjuajtjeve nga ana kundërshtare, tani i ndjeri Premtim, të pandehurit Dardan Marevci dhe Korab Gashi, afrohen në brendësi të tarracës së lokalit, ku Premtim Gashi, i pajisur me armë AK-47, dhe Marevci me armë, shtijnë në drejtim të Salih Sekiraqës dhe Fatos Abazit.
Ndërkaq, i pandehuri Korab Gashi, gjithnjë sipas aktakuzës, nga brendësia e tarracës së lokalit shtie me armë të shkurtër në drejtim të tyre, me çka edhe u shkakton lëndime të rënda trupore.
Më pas, thuhet se duke dalë nga lokali, të tre së bashku– Dardani, Korabi dhe Premtimi– shtijnë edhe në drejtim të Robert Llumnicës dhe se Premtim Gashi, duke vazhduar të lëvizë në drejtim të të pandehurit Robert Llumnica, sapo afrohet pranë tij me armë, Llumnica e qëllon disa herë Premtimin duke e rrëzuar në tokë, ku përfundimisht e godet edhe një herë në kokë, duke e privuar kështu nga jeta dhe duke hipur mbi trupin e tij e duke gjuajtur më pas në drejtim të pandehurve të tjerë.
Pas këtij momenti, aktakuza thotë se i pandehuri Dardan Marevci tërhiqet në drejtim të veturave, duke u dhënë sinjal për tërheqje grupit, kurse Erd Marevci, i cili deri atëherë ka shtënë nga jashtë lokalit në drejtim të Robert Llumnicës, e hedh armën dhe merr armën e Valdrin Ademit, e duke kapur këtë të fundit, i cili ishte i plagosur, së bashku me personat e paidentifikuar më pas largohen në drejtim të veturave, dhe gjatë tërheqjes njëri nga ata persona vazhdon të gjuajë, me ç’rast Robert Llumnicës, Sali Sekiraqës dhe Fatos Abazit u shkaktohen lëndime të rënda trupore, kurse rrezikohet jeta e personave tjera brenda dhe jashtë lokalit.
Me këto veprime, Korab Gashi, Valdrin Ademi, Dardan dhe Erd Marevci akuzohen se në bashkëkryerje me persona të paidentifikuar, kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 dhe 1.11, lidhur nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal.
Çka thuhet në pikën dy të aktakuzës?
Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Robert Llumnicën, Salih Sekiraqën, Fatos Abazin dhe Endrit Llapashticën.
Sipas aktakuzës, me datë dhe kohë të përshkruar si në pikën e parë, në bashkëkryerje dhe me dashje, të pajisur me armë zjarri, të akuzuarit privojnë nga jeta Premtim Gashin, duke tentuar të privojnë nga jeta edhe anëtarët e tjerë të grupit “Capa”, Korab Gashin, Valdrin Ademin dhe Dardan e Erd Marevcin, si dhe duke rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë që gjendeshin brenda dhe jashtë lokalit “From”.
Sipas aktakuzës, Sali Sekiraqa kishte marrë informacionin se grupi “Capat” po vinin drejt lokalit me qëllim sulmi ndaj tij dhe grupit të tij, organizon pritë, duke dëshiruar pasojën.
Pas marrjes së informacionit se po vjen grupi “Capat” në lokal, aktakuza thotë se të akuzuarit Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi dhe Endrit Llapashtica vijojnë me veprimet e tyre, ashtu që Robert Llumnica del jashtë lokalit dhe pozicionohet për gjuajtje.
Tutje, në aktakuzë thuhet se sapo grupi i “Capave” arijnë, Roberti kishte filluar i pari të shtinte me armë, duke goditur anëtarin e grupit “Capat”, Valdrin Ademin, e në të njëjtën kohë Salih Sekiraqa, i pajisur me armë, dhe Fatos Abazi, i pajisur me armë gjysmë-automatike, pozicionohen në brendësi të lokalit, aty ku mundësohet shikimi, dhe shtijnë direkt në drejtim të Premtim Gashit, Korab Gashit, Dardan dhe Erd Marevcit dhe personave të panjohur.
Nga të shtënat me armë, aktakuza thtotë se u shkaktohen lëndime të rënda trupore Korab Gashit dhe NN personave, ndërkaq Premtim Gashi i cili jashtë lokalit bashkë me Korab Gashin e Dardan Marevcin iu afruan Robert Llumnicës, ky i fundit shtie me breshëri plumbash në drejtim të Premtim Gashit, duke e goditur në trup e më pas ku bie në tokë e godet edhe një herë në kokë, i cili për pasojë vdes. Llumnica thuhet se hipi mbi trupin e viktimës dhe vazhdon të gjuajë në drejtim të grupit “Capat” dhe në fund e hedh armën në rrugë.
Në anën tjetër, Endrit Llapashtica, akuzohet se duke vepruar në marrëveshje dhe koordinim me të pandehurit, drejton motorin katër-rrotësh në afërsi të vendit të ngjarjes në kohën kur shkëmbehet zjarri dhe shtie disa herë me armë zjarri me qëllim që t’u dalë në ndihmë Salih Sekiraqës, Robert Llumnicës dhe Fatos Abazit, dhe si pasojë e veprimeve të anëtarëve të grupit “Sekiraqa”, privohet nga jeta Premtim Gashi, kurse lëndime të rënda trupore pësojnë Valdrin Ademi, Korab Gashi dhe persona të paidentifikuar.
Me këto veprime, të akuzuarit Robert Llumnica, Sali Sekiraqa, Fatos Abazi dhe Endrit Llapashtica, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Çka thuhet në pikën e tretë të aktakuzës?
Në këtë pikë ngarkohet Vesel Bunjaku, se më 1 shtator 2024, në ora 21:42 (sipas kohës së kamerave të lokalit), menjëherë pas përfundimit të gjuajtjes me armë mes grupeve, me qëllim të fshehjes dhe manipulimit të provave, merr në posedim dy armë zjarri, pistoletë gjysmë-automatike që e posedoi Salih Sekiraqa, pistoletën gjysmë-automatike që e përdori Fatos Abazi, me ç’rast nga video-incizimet e kamerave të lokalit shihet duke u drejtuar në tarracën e lokalit për të dalë jashtë, duke mbajtur në duar armët dhe duke i fshehur ato, e më pas duke u rikthyer në lokal, por herën e dytë pa armë në duar, e që më pas armët u gjetën në pjesën e pasme të lokalit.
Me këto veprime, Bunjaku akuzohet se ka kryer veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Çka thuhet në pikën katërt të aktakuzës?
Edhe kjo pikë e aktakuzës ngarkon Vesel Bunjakun se pas gjuajtjeve me armë mes grupeve merr në posedim dy armë zjarri nga lokali “From”, duke i vendosur në pjesën e pasme të lokalit, me qëllim të fshehjes. Pra, merr dy pistoleta gjysmë-automatike.
Me këto veprime, Bunjaku ngarkohet me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Çka thuhet në pikën pestë të aktakuzës?
Në këtë pikë ngarkohen Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Endrit Llapashtica, Korab Gashi, Valdrin Ademi, Dardan dhe Erd Marevci. Ata akuzohen se më 1 shtator 2024, pa autorizim, me dashje dhe vetëdije, në vende publike, kanë pasur në posedim armë zjarri me të cilat janë kryer veprat penale.
Prandaj, të akuzuarit ngarkohen edhe me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Dhe krejt në fund, në pikën e gjashtë të aktakuzës, ngarkohet me po të njëjtën vepër penale Erd Marevci, pasi që më datë 10 qershor 2025, gjatë bastisjes, i ishte gjetur një armë zjarri – revole me karikator dhe 15 fishekë.
Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Ndrshe, të akuzuarit: Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci gjenden në paraburgim, ndërkaq Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci në arrati, kurse Vesel Bunjaku në liri.
Aktakuza është dorëzuar për gjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda ku pritet edhe të zhvillohet gjykimi.