back to top
Thursday, August 28, 2025
BallinaLajmeDorëheqja e Aliut pas zgjedhjes së kryekuvendarit, Basha: E çmoj kontributin e...

Dorëheqja e Aliut pas zgjedhjes së kryekuvendarit, Basha: E çmoj kontributin e tij në LVV dhe Ministri, është e arsyeshme të kemi pakënaqësi

Të ngjajshme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka mbajtur sot një konferencë për media.

Ai në këtë konferencë ka folur shkurtë edhe për dorëheqjen e djeshme të ish-ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut.

“Sa për informacionin tuaj, unë e lexova atë në media që ka dhënë dorëheqje nga pakënaqësia me rastin e emërimit tim si kryetar i Kuvendit. Unë nuk dua të komentoj shumë përveç që të them se e çmoj kontributin e tij si aktivist në Lëvizjen Vetëvendosje, siç e çmoj kontributin e secilit aktivist tjetër që ka dhënë shumë për LVV, por gjithashtu e respektoj punën që ka bërë si ministër”, ka thënë Basha.

Pakënaqësinë e Aliut, Basha e ka parë si “plotësisht të arsyeshme”

“Është plotësisht e arsyeshme me pas pakënaqësi mes vete, për shkak se ju e dini edhe si deputet kemi pas pakënaqësi me ministra dhe kemi pas debat të hapur në Kuvendin e Kosovës, por mendoj se kjo është demokracia. Me rëndësi është që të vazhdojmë rrugëtimin para dhe këtë po e përfundoj me fjalën se e çmoj kontributin e tij në LVV dhe Ministri”, ka shtuar Basha.

Liburn Aliu ka dhënë dorëheqje dje nga Ministria të cilën e udhëhiqte. ndërsa dorëheqja e tij ka thënë se ka ardhur pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryetar të Kuvendit.

“Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim. Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, ka njoftuar dje Liburn Aliu përmes një postimi në Facebook.

Debatet dhe pakënaqësitë mes Bashës e Aliut nuk kishin filluar dje. Para pak kohësh, në Kuvendin e Kosovës kishte ndodhur një përplasje e ashpër mes të dyve.

Kjo lidhur me ligjin për ndërtimet pa leje, ku Dimal Basha e kishte akuzuar Aliun për mbrojtjen e mafisë së betonit.

“Puna kryesore e këtij ligji, unë mendoj që ky ligj e bën amnistimin e atyre keqpërdoruesve që shpesh herë janë quajtur ‘mafia e betonit’, por gjithashtu amnistimi i zyrtarëve publik që kanë lejuar degradim. Krejt ata investitor që se kanë respektu asnjë kriter por kanë betonuar dhe nuk kemi asnjë centimetër hapësirë të gjelbër, ata jo vetëm që nuk dënohen por legalizohen dhe inkurajohen që të vazhdojnë. Pse me marr leje në ndërtim e me pagu pesë euro kur ndërton me leje, po duke qenë me ndërtu pa leje dhe me shku me legalizu me dy euro”, kishte thënë në Kuvend deputeti Dimal Basha.

“Ligji thotë që qytetarët të aplikojnë për legalizim, por ata i kanë blerë ato banesa. Është investitori që duhet të mbahet përgjegjës. Duhet ndjekur ligjërisht dhe t’i kërkohet llogari për vlerën e shitjes”, kishte shtuar ai.

Kishte reaguar menjëherë edhe vet Aliu, gjithashtu me ‘kunja’ për Bashën.

“E para po filloj nga çështja a ka ndryshuar Liburni. Ky ligj në leximin e parë është votu nga Lëvizja Vetëvendosje. Në leximin e dytë, as LVV e LDK nuk e ka votu, për shkak se e ka bojkotuar asokohe PAN-in. Prandaj kur të folni, thuajeni të vërtetën e saktë. Unë kërkoj prej deputetit Basha, po ta përmendi emrin që me mujtë me repliku. Pra ju sapo thatë që Liburni ka deklaruar ndryshe, e po deklaron sot ndryshe. Atë ditë kam deklaru njëjtë sikurse sot, pra viti 2018, njëjtë e deklaroj edhe sot. Projektligj i padrejtë, por i domosdoshëm”, kishte qenë reagimi i Ministrit Aliu ndaj Bashës. /Lajmi.net/ 

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz