Dokument: Vendimi i qeverisë për ndalimin e qarkullimit me orare nga nesër

Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa të reja preventive ndaj përhapjes së pandemisë COVID-19, duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e automjeteve, në intervalin prej orës 10:00 deri në 16:00 dhe prej orës 20:00 deri në 06:00.
Sipas vendimit të Qeverisë, ndalimi i qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve ndahet në dy kohë të ndryshme.
Masat e ndërmarra:
Qeveria e Republikës së Kosovës aprovon kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërmarrjen e masave për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së virusit COVID-19 si në vijim:
I. Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore);
II. Mundësohet qarkullimi i lirë për operatorët ekonomik të klasifikuara si me të rëndësishme sipas kodeve NACE që Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike lejon të operojnë në këtë periudhë emergjente lidhur me pandeminë COVID -19, si dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit;

Lexo edheHaxhiu: Presidenti do që qytetarët të futen në konflikt me policinë
III. Lëvizjet në rrugë bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët;
IV. Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët. Në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit;
V. Obligohen Institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Vendimi.
VI. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit














