“Dje tenderët, sot arbitrazhi…, po e shkatërrojnë Kosovën”

Ekonomisti Kujtim Dobruna, i cili udhëheq iniciativën ekonomike për Kosovën, me seli në Vjenë, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit, nëpërmjet të cilit kompania “Z-Mobile”, pronar i së cilës është Blerim Devolli, fiton 30 milionë euro nga PTK-ja.
Dobruna ka shkruar se elitat e vetëquajtura oligarkike janë shndërruar në pengesë të zhvillimit e prosperitetit, duke plaçkitur gjithçka.
Ky është postimi i plotë i ekonomistit Dobruna.
“Pushteti i koncentruar është armiku më i madh i lirisë”, do të thoshte Presidenti Reagan.
Pa lehtësimin e konkurrencës së lirë dhe zhbërjen e karteleve dhe monopoleve, nuk ka rritje gjithëpërfshirëse ekonomike, që mbështetet te frytet e iniciativës së lirë, inovacionit dhe hulumtimit e zhvillimit.
Ne ende nuk jemi një shoqëri e lirë. Nëse duam një të tillë, atëherë duhet të nxisim konkurrencën e lirë, të krijojmë kushte të barabarta për të gjithë e të pamundësojmë koncentrimin e pushtetit në duar të një pakice.
Lexo edheSindikata e PTK-së: Prokuroria ta pezullojë vendimin e Arbitrazhit që i jep miliona Devollëve
Siç po e shohim dita-ditës, kjo pakicë a bazuar në struktura e koncepte klanore e mafioze, po e keqpërdor sistemin për t’iu siguruar favore të padrejta individëve dhe grupeve të caktuara të interesit, me të cilat janë të lidhura ngushtë.
Kjo çfarë po përjetojmë ne sot në vendin tonë nuk është ekonomi e lirë e tregut, por ekonomi e elitave të vetëquajtura oligarkike, që janë shndërruar në pengesë të zhvillimit e prosperitetit. Kreativiteti i tyre për të plaçkitur gjithçka që mund të sjellë para të majme, nuk ka fund! Dje tenderët, sot arbitrazhi, nesër ndoshta kreditimi ndërkombëtar a ku ta di unë…
Përderisa vendin e kanë shndërruar në vetëshërbim të vetin pa pagesë, në të njëjtën kohë, gojën e kanë plot “punësim”, “zhvillim”, “rritje”, “integrim”. Por, këtë hipokrizi qytetari ka filluar ta kuptojë fare mirë. Në fund, herët a vonë, ai do e japë verdiktin e tij, sepse keqpërdorimi, zhvatja, plaçkitja e dhuna nuk kanë jetë të gjatë!














